Mungesa e ngrohjes në çerdhe, shkolla fillore dhe të mesme të Komunës së Çairit dhe Butelit lë thuajse të boshatisura këto Institucione arsimore. Në shkollën profesionale “Cvetan Dimov” orari i mësimit ishte i zakonshëm por mungonin nxënësit.
“Të gjithë profesorët dhe një pjesë e nxënësve në mëngjes ishin në shkollë por duke pas parasysh që në mëngjes temperaturat janë të ulëta, nxënësit e kanë pas të arsyeshme një pjesë të shkojnë ose një pjesë mos të vijnë fare. Orari është i rëndomtë, kemi fillu prej në 7 e 30 dhe 13 e 30 por dallohet mungesa e nxënësve”, deklaroi Visar Durak, drejtor i shollës profesionale “Cvetan Dimov”.
Mësimdhënësi Zenafer Bajmak tha se humbjet e shpeshta të orëve janë në dëm të fëmijëve dhe suksesit të tyre.
“Këto janë kushtet, po mundohemi të përshtatemi atyre. Sigurisht që ndikon në suksesin e nxënësve, humbet kontinuiteti i mësimit, megjithatë shpresojmë të mos zgjasë më shumë se dy ose tre ditë dhe fëmijët të kthehen në shkollë. Si mësimdhënës dhe shkollë jemi të përgatitur edhe për mësim online, këtë përvojë tashmë e kanë edhe nxënësit. Nëse merret një vendim I tillë ne mund të nisim që ditën e nesërme”, u shpreh Zenafer Bajmak, mësimdhënës.
Ministri i Arsimit, Jeton Shaqiri tha për Alsat se nga sektori për arsim fillor dhe te mesëm ka kërkuar që të shqyrtohet mundësia e kompensimit të orëve të humbura duke përfshirë edhe orët e humbura kur kishte alarme të rreme për bombë.
“Përveç institucioneve që kanë pas pak ditë problem me ngrohjen ti shohin edhe institucionet të cilat kishin problem nga paralajmërimet për bomba nëpër institucionet arsimore, më së shumti në shkollat e qytetit të Shkupit. Çdo gjë e cila mund të kompensohet brenda programit në pjesën e mbetur të gjysmëvjetorit të parë dhe gysmëvjetorit të dytë do të organizohet”, tha Jeton Shaqiri, ministër I Arsimit dhe Shkencës.
Brenda muajit nëntor kjo është hera e dytë që nxënësit e shkollave në fjalë detyrohen të mbesin pa mësim për shkak të ndërprerjes së ngrohjes nga ngrohtorja Shkup Veri. /Alsat.mk