Akoma mbetet në pikëpyetje fillimi i vitit të ri shkollor 2021-2022. Nga Ministria e Arsimit sërish pa përgjigje konkrete përveç se thonë se kthimi i nxënësve në shkollë është në të mirë të fëmijëve. Nga MASH nuk u përgjigjën nëse mësimi me prezencë fizike do të varet nga vaksinimi i mësimdhënësve dhe sa prej tyre tashmë janë vaksinuar.
Ministria e Arsimit dhe Shkencës është në koordinim të vazhdueshëm me Ministrinë e Shëndetësisë dhe po bëhen përpjekje për të vaksinuar stafin mësimdhënës. Të gjithë duam që nxënësit të kthehen në shkolla sepse e dimë që frekuentimi fizik është në interesin më të mirë të fëmijëve – thonë nga Ministria e Arsimit.
Në mungesë të numrave zyrtar, Alsat ka kontaktuar disa shkolla fillore dhe të mesme prej ku njoftohet se ka numër të lartë të mësimdhënësve të pavaksinuar. Nga sektori i Arsimit në Tetovë thanë se janë vaksinuar vetëm mësimdhënësit që ishin me prezencë fizike dhe ato që ishin pjesë e maturës shtetërore.
Përqindja e gjithë atyre mësimdhënësve të cilët janë të vaksinuar deri më tani është përafërsisht 35 % nga stafi i shkollave fillore dhe të mesme të Tetovës. Kemi bërë kërkesë dhe kemi qenë në komunikim me përfaqësues të shëndetësisë, kemi kërkuar nga ta që në këtë periudhë të pushimeve verore të na mundësohet që në formë të organizuar të bëhet vaksinimi I mësimdhënësve të shkolla fillore dhe të mesme në komunën e Tetovës – deklaroi Ahmet Qazimi, sektori i arsimit, Tetovë.
Nëqoftëse obligohemi, detyrohemi, atëherë patjetër ta marrim sepse do të kufizohemi që të shkojmë në mësim fizik, duhet patjetër të kemi vaksinim, nëqoftëse detyrohemi. Përndryshe, unë për veti nuk jam shumë i interesuar për një gjë të tillë – u shpreh Gani Ameti, mësimdhënës në Sh.f “7 Marsi”.
Përveç mësimdhënësve në arsimin fillor dhe të mesëm, edhe në çerdhet e vendit janë vaksinuar vetëm një numër i vogël i punonjësve. Edhe nga ky institucion nuk morëm përgjigje të saktë për numrin dhe procedurën e mëtejme të vaksinimit.
Burimi; Alsat-M