Me organizimin e ditëve të hapura në shkollat e mesme profesionale në Ohër dhe Strugë dhe Kërçovë, sot vazhdoi realizimi i fushatës “Mëso me mençuri, puno me profesionalizëm” të cilën për të dytin vit radhazi Ministria e Arsimit dhe Shkencës po e zbaton me mbështetjen e Ambasadës së Zvicrës dhe projekti “Arsim për punësim” ndërsa synimi i të cilit është avancimi i cilësisë së arsimit të mesëm profesional përmes një qasjeje gjithëpërfshirëse me pjesëmarrjen e të gjithë përfaqësuesve dhe promovimin e përfitimeve të këtij lloji të arsimit për nxënësit e ardhshëm të shkollave të mesme.
“Sot i prezantojmë përparësitë dhe përfitimet e arsimit të mesëm profesional për të rinjtë nga Ohri, Struga dhe Kërçova. Gjysmëmaturantët i njoftojmë për të gjitha risitë që do të ofrojnë shkollat e mesme profesionale nga viti shkollor 2022-2023, të cilat janë rezultat i dialogut që Ministria e Arsimit dhe Shkencës po zhvillon me komunat, shkollat dhe komunitetin e biznesit. Nxënësit i informojmë për programet e reja mësimore, paralelet e reja duale, cilat kompani janë të përfshira në përgatitjen praktike të nxënësve, si dhe ngrisim ndërgjegjësimin se ky lloj i arsimimit ofron mundësi më të mëdha për suksesin e tyre personal”, theksoi Shaqiri.
Ai përkujtoi se deri në fund të këtij muaji do të rrumbullaksohet plani për realizimin e 16 ngjarjeve promovuese dhe kudo, siç u shpreh ai, në çdo qytet do të dërgojmë të njëjtën porosi- të rinjtë të fokusohen në arsimin e mesëm profesional, sepse kjo është e ardhmja.
“Shoqëria po përballet me mungesën e kuadrove profesionale, ka shumë vende të lira për të cilat kërkohen kualifikime profesionale. Kështu që, arsimi profesional ofron mundësi më të madhe për paraqitje të shpejtë dhe të suksesshme në tregun e punës, pavarësi më të shpejtë financiare të të rinjve dhe stabilitet ekonomik. Njëkohësisht, ofron edhe bazë të mirë për secilin që dëshiron të avancohet akademikisht”, potencoi Shaqiri.
Ministri falënderoi të gjithë pjesëmarrësit në fushatën “Mëso me mençuri, puno me profesionalizëm”, duke theksuar se përmes një qasjeje gjithëpërfshirëse janë arritur rezultate të shkëlqyera.“Vetëm në një vit e gjysmë nga 11 paralele duale kemi arritur në 97 paralele duale në bashkëpunim me 200 kompani për momentin dhe nga viti i ardhshëm shkollor 2022/2023 do të hapim 223 paralele në bashkëpunim me 450 kompani të cilat praktikisht do të trajnojë drejtpërdrejt nxënësit në proceset prodhuese dhe organizative. “Prandaj, shpresoj që kjo fushatë të vazhdojë edhe gjatë viteve të ardhshme, derisa të kontribuojë në harmonizimin e politikave arsimore me politikat e punësimit dhe plotësimin e vendeve të lira në tregun e punës”, theksoi Shaqiri.
Së bashku me kryetarin e Komunës së Ohrit, Kirill Pecakov, ministri Shaqiri vizituan shkollat e mesme “Shën Naum Ohridski” dhe “Vanço Pitoshevski”, ndërsa së bashku me kryetarin e Komunës së Strugës Ramiz Merko vizituan shkollën e mesme profesionale “Niko Nestor”.
Zëvendës-ministri Aliu së bashku me kryetarin e Komunës së Kërçovës Fatmir Dehari vizituan shkollat e mesme profesionale “Mirko Millevski” dhe “Drita”, ku theksoi se Ministria e Arsimit dhe Shkencës do të vazhdojë të ofrojë mbështetje financiare në formë të bursave për nxënësit që zgjedhin të regjistrohen në klasa duale duke u shprehur se është inkurajim dhe mundësi e shkëlqyer për të fituar të ardhura personale gjatë shkollimit të të rinjve.