Një klasë e improvizuar është formuar në shtëpinë e familjes Baftjari në fshatin Cërni Vërv të komunës së Studeniçanit. Gjashtë fëmijë të kësaj familje po mësojnë nga njëri-tjetri mësimet e humbura për shkak të mbylljes së shkollës nga virusi Korona. Mësimi online në këtë fshat thuajse është i pazbatueshëm për shkak të rrjetit të dobët të internetit. Banorët e këtij fshati shprehën të revoltuar për fatin e fëmijëve të tyre, thonë se do të mbesin mbrapa më mësime.
Është e pamundur atje, sepse jemi në periferi 40 kilometra prej qytetit të Shkupit, fshat malor, është shumë e vështirë, është e pamundur. Unë i kam dy vajza, njërën në klasën e katërt, njërën në klasën e pestë. Kanë filluar të mësojnë online, është shumë e vështirë, arsimtarët janë aktivizuar, janë duke bërë çmos për të zhvilluar mësimin por është e pamundur për shkak të internetit, nuk qëndron problem as te arsimtari, as te drejtori, por qëndron problemi te mjetet për shkak të internetit, për shkak të telefonit – deklaroi Sabedin Baftjari, banor i F. Cërni Vërv.
Shkolla periferike në fshatin Cërni Vërv është pjesë e shkollës qendrore “Alija Avdoviq” të fshatit Batincë e cila numëron gjithsej 1.430 nxënës. Drejtori i shkollës, Qenan Imeri tha për Alsat se mbi 250 nxënës të kësaj shkolle për momentin kanë mbetur pa mësimin online.
Nxënësit nuk janë të përgatitur, nuk kanë smart telefona, laptopa s’kanë, shumica po ashtu edhe kompjuterë, edhe internet nuk kanë aspak. Në shkollën qendrore i kemi afër 80 nxënës që nuk kanë kushte sepse janë familje ekonomikisht të dobëta, marrin ndihma sociale. Prej 1120 nxënës afër 80 nxënës nuk mund kyçen në mësimin online. Kurse, shkollat periferike, kemi afër 50 % prej 300 nxënësve, 150 nxënës nuk mund të kyçen në mësimin online – deklaroi Qenan Imeri, drejtor i Sh.f “Alija Avdoviq”, Batincë.
Përveç nxënësve, me mungesë të pajisjeve për mësimin online ballafaqohen edhe mësimdhënësit e shkollës në fjalë. Drejtori, Imeri tha se 10 % e mësimdhënësve nuk kanë kushte të lidhen me nxënësit për të zhvilluar mësimin online. Nga Ministria e Arsimit tashmë kanë mbledhur të gjitha të dhënat e shkollave për numrin e fëmijëve me rrezik social, duke shtuar se ditëve në vijim do të vendoset për formën se si do tu ndihmohet këtyre rasteve.
Burimi: Alsat-m.tv