Maturantët preferojnë universitetet e rajonit

Maturantët të cilët nga viti i ardhshëm do të jenë studentë preferojnë të vazhdojnë ciklin e lartë të arsimit në universitetet e rajonit. Nga të gjithë universitetet e rajonit më i preferuari i maturantëve të rinj është ai i Lubjanës. Sipas të dhënave të fundit në Universitetin e Lubjanës janë regjistruar 800 maturantë nga Maqedonia e Veriut. Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (MASH), Jeton Shaqiri ka thënë se një gjë e tillë nuk është dështim, sepse siç tha ai, secili vendos se ku dëshiron të regjistrohet. Ai madje regjistrimin e qindra studenteve në universitetet e rajonit e ka konsideruar si sukses të Qeverisë dhe MASH-it. “Ministria jonë ka kontribuar në marrëveshjet dypalëshe që ka nënshkruar me Republikën e Sllovenisë. Ne jemi në fazën e përgatitjes së kuadrove, jemi një vend i vogël dhe çdo përvojë e mirë e marr si nga brenda dhe jashtë shtetit do të japin një kontribut të mirë në periudhën e ardhshme për institucionet e vendit tonë dhe veçanërisht të atyre të arsimit”, deklaroi Shaqiri. Ai shtoi se për ne është sukses që kemi student që vijnë nga Turqia, Shqipëria madje edhe nga Spanja.

Sipas tij, të rinjtë duhet të vendosin vetë dhe se ata duhet të punojmë me përgjegjësi për të krijuar kushte sa më të mira. Shaqiri është pyetur se nëse mendon se studentët nga Maqedonia e Veriut, që shkojnë të studiojnë në Slloveni do të kthehen në vendin tonë, ai u shpreh se të gjithë duhet ta kenë parasysh se përvoja e fituar është më e vlefshme kur të kontribuojmë në shoqërinë tonë. “Por më lejoni ta them se ka një numër të caktuar që duan dhe studiojnë jashtë dhe qëllimi i tyre është për të kontribuar për vendin tonë”, tha Shaqiri.

Regjistrimi i maturantëve në universitet e rajonit apo të Evropës, nga njohësit e fushës shihet si dukuri negative dhe rritje të mosbesimit në cilësinë e arsimit të lartë në vendin tonë. Ata thonë se mos-regjistrimi në universitetet publike por edhe private të RMV-së nga ana e maturantëve, vjen si pasoj e degradimit të universiteteve gjatë viteve të fundit dhe ndikimit të politikës ditore mbi universitetet.

Nga Forumi për Ndryshim Arsimor (FNA), për gazetën KOHA, kanë deklaruar se trendi i maturantëve që regjistrohen në universitet e Sllovenisë për disa vite me radhë është vetëm në rritje. Nga atje këtë rritje e shohin si pasojë e uljes së cilësisë së arsimit në vendin tonë. “Këtë e dëshmojnë rangimet e Universiteteve, ku Universiteti më i mirë në vendin tonë është i renditur në vendin e 1.816 në nivel botëror. Studentët nuk ikin të studiojnë jashtë se është ‘trend’, por që shteti i tyre nuk ju ofron kushte që ata të arrijnë kapacitetin e tyre maksimal në profesionet e tyre”, thonë nga FNA. Ndërkohë sa i përket deklarimeve të ministrit ku regjistrimin e maturanteve nuk e llogariti si dështim nga atje thonë se ajo është reflektim se sa ai kupton problematikat e të rinjve dhe të arsimit në vend. Sipas tyre, sukses do të ishte nëse, studentët që studiojnë jashtë do të kthehen në vend pas studimeve dhe do të punësohen këtu, por kjo siç thanë ata, nuk ndodh për fat të keq.

Ndryshe, në listën e Shangait ku renditen 1.000 universitet më të mira të botës – asnjë nga universitet e RMV-së, nuk është pjesë e kësaj liste. Gjithashtu edhe në listën e fundit të publikuar nga uebometriks, ku Universiteti “Shën Kirili dhe Metodi”, gjendet në vendin e 1607-të, UEJL në vendin e 4458-të, derisa UT në vendin e 4677-të.

KOHA.MK