Një formulë e re e financimit të arsimit fillor pritet të zbatohet në 10 komuna të vendit vitin e ardhshëm shkollor, kanë paralajmëruar nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASH). Ministri Jeton Shaqiri tha se modeli i ri parashikon riorganizimin e shkollave kur bëhet fjalë për numrin e nxënësve dhe stafit mësimor. Shaqiri tha se askush nuk do të mbetet pa punë por se do të krijohen kushte më të mira për mësim varësisht numrit të nxënësve.
“Askund nuk diskutohet që të kemi largim nga puna në këtë situatë në të cilën jemi ekzistuese sepse ka disa komponentë. Ka komuna në qoftë se në shkollë, në një grup klasor dikush shkon në pensionim atëherë nuk kërkohet financim i ri. Të vetëdijshëm, komuna për t’i ulur bllok dotacionet për paga përbëjnë bashkimin e klasave dhe i shfrytëzojnë këto mundësi të cilat i kanë ekzistuese. Kemi komuna ekzistuese të cilat disa shkolla të tyre rajonale i kanë transferuar në qendrore por nuk do të parashihet asnjëherë dëmtimi i mësimdhënësve”, deklaroi Jeton Shaqiri, ministër i Arsimit dhe Shkencës.
Sipas Shaqirit, formula e re e financimit do të ketë prioritet krijimin e kushteve për mësimin tërëditor, pikërisht në ato shkolla ku kërkesat janë të shumta.
“Në qytetin e Shkupit zakonisht, në komunat Çair e Aerodrom e disa të tjera duhet të bëhen investime infrastrukturore në mësimin gjithëditor. Kjo formulë e cila do të ketë implikime afatgjate në atë periudhë do të shoh edhe komponentin e krijimit të hapësirave në shkollat në të cilat për të realizuar këtë mësimin gjithë ditor tash nuk është e mundur sepse numri i nxënësve është shumë i madh”, u shpreh Jeton Shaqiri, ministër i Arsimit dhe Shkencës.
Formula e re e financimit të arsimit fillor tashmë është në fazë të diskutimeve dhe grumbullimit të informacioneve për gjendjen momentale të shkollave të caktuara. Gjithashtu, Shaqiri tha se përveç dikasterit të Arsimit, modeli i ri i financimit ka gjetur mbështetjen e UNICEF-it, UNDP-s dhe Bankës Botërore. /Alsat.mk