MASH/ Ministri Shaqiri: Mbështesim studentët për mobilitet dhe rrjetëzim me Unionin Studentor Evropian

Angazhohemi për përmirësimin e vazhdueshëm të standardit të studentëve si një parakusht i rëndësishëm për arsim të lartë cilësor. Nëse studentët do kenë më pak shqetësime financiare gjatë studimit, atëherë ata janë më të përkushtuar ndaj studimit. Studentët tanë marrin subvencione për racion ditor ushqimi, janë rritur bursat e studentëve dhe janë futur kategori të reja bursash. Vazhdojmë me politika që synojnë një standard më të lartë të të rinjve. Këtë e potencoi ministri i arsimit dhe shkencës Jeton Shaqiri në takimin e sotëm me përfaqësues të studentëve nga Asambleja shtetërore studentore dhe nga Asambleja studentore në Universitetin “Shën Kirili dhe Metodi” në Shkup.

“Shkëmbyem mendime për kërkesat që studentët ia drejtuan Ministrisë, të cilat i referohen përmirësimit të standardit të tyre dhe cilësisë së arsimit të lartë. Gjithashtu folëm edhe për inkuadrimin e mundshëm të Asamblesë shtetërore të studentëve në Unionin Studentor Evropian, organizatën më të madhe studentore në Evropë dhe pritshmëritë e studentëve. “Arritëm në përfundimin se është interesi ynë i përbashkët që studentët të lidhen me studentë nga Evropa dhe të shkëmbejnë përvoja dhe njohuri”, tha ministri Shaqiri, duke shtuar se MASH është e gatshme t’i mbështesë ata që të bëhen anëtarë të barabartë të Unionit studentor evropian me mbi 20 milionë studentë.

Përfaqësuesit e studentëve shprehën besimin se rrjetëzimi në platformën e vetme studentore do të kontribuojë në informimin dhe trajnimin e tyre mbi zhvillimin e politikave në arsimin e lartë në nivel evropian, pjesëmarrjen e studentëve në hulumitme dhe projekte partneriteti, si dhe në një shkëmbim të gjerë njohurish dhe eksperience.

Unioni Studentor Evropian është një organizatë autonome, demokratike dhe përfaqësuese e studentëve në të gjithë fushën e arsimit të lartë në Evropë dhe ka organizata anëtare në 40 shtete.