Tridhjetë e shtatë për qind e fëmijëve në shkollat tona thonë se nuk ndjehen të sigurt në shkollë. Madje 24 për qind e fëmijëve shprehen se janë viktima të dhunës fizike. Këto janë rezultatet e hulumtimit të realizuar nga Universiteti “Shën Kirili dhe Metodi” në Shkup bashkë me profesorët e Fakultetit Filozofik.
Në hulumtim kanë marrë pjesë më shumë se 2.000 nxënës dhe sipas profesoreshës Sofija Georgievska, e cila ishte pjesë e hulumtimit, dhuna është në rritje.
“Kemi rritje të vazhdueshme të dhunës. Sot mund të them se edhe dhuna digjitale është një nga problemet më të shpeshta me të cilat nxënësit ballafaqohen. Më shqetëson fakti se 37% e fëmijëve ose nxënësve shprehen se për çdo ditë nuk ndjehen mirë dhe sigurt në shkollë”, theksoi Georgievska.
Ajo shtoi se fëmijët jo gjithmonë mund ta identifikojnë dhunën.
“Ndonjëherë fëmijët thonë se dikush ka bërë shaka dhe jo dhunë. Nëse i pyesim në atë moment, thonë se nuk janë ndjerë mirë dhe se nëse kjo ndodh më shumë se dy herë në javë, nuk dëshirojnë të shkojnë nesër në shkollë. Mendoj se ne këtu duhet ta ndezim alarmin i cili duhet të na tregojë se sa duhet të punojmë me fëmijët tanë”, deklaroi Georgievska.
Ajo theksoi se vajzat janë më sensitive dhe në të shumtën e rasteve ndaj tyre ushtrohet dhunë psikike, ndërsa kur kemi të bëjmë për dhunën fizike, rastet më të shpeshta janë djemtë.
Georgievska u bën thirrje prindërve dhe mësimdhënësve të bisedojnë me fëmijët për arsye se 27 për qind e fëmijëve nuk dinë se cilin ta informojnë se janë viktimë të dhunës.
“Alarmi më i madh është se 27% e fëmijëve s’kanë kujt t’ia tregojnë ose nuk dinë. 27% është numër i madh që na thotë “unë ndjehem keq, por nuk di kujt t’ia them”, u shpreh ajo.