Unioni i Nxënësve të Shkollave të Mesme informon opinionin publik se dje – më 13 shkurt 2021
– Kuvendi i Përgjithshëm i Unionit vendosi të pranojë propozimin për kompromis në lidhje me
maturën shtetërore, të cilin e diskutuam në takimin tonë të fundit me kryeministrin Zaev, deputeten Zajkova dhe këshilltarin e KM-së, Tasev.
Ky kompromis parashikon realizimin e dy provimeve të eksterne dhe dy interne, dmth provimi i
tretë ekstern do të transformohet në intern. Ky hap përfshin ndryshime në mënyrën e marrjes së
pikëve për maturën shtetërore, kështu që provimet eksterne do të sjellin maksimumi 20 pikë (në
vend të 30 – që aktualisht është), ndërsa provimet interne maksimumi 16 pikë (në vend të 6
pikëve aktuale) dhe projekt detyra do të vazhdojë të sjellë maksimumi 4 pikë. UNSHM beson se
kjo mënyrë e shpërndarjes së pikëve është më e drejtë dhe më e ekuilibruar për të gjithë
maturantët.
Përveç kësaj, ne sinqerisht besojmë se kompromisi që kemi arritur plotëson dy parimet tona
kryesore: ruajtjen e cilësisë së arsimit dhe interesin e maturantëve. Në raportet e OECD-së,
provimi i maturës shtetërore është theksuar si një nga pikat më të forta të sistemit tonë arsimor.
UNSHM ka për qëllim të ruajë këtë epitet. Vlen të përmendet gjithashtu se modeli i 2 provimeve
eksterne dhe 2 interne, është aplikuar në vendin tonë nga viti akademik 2007/2008 deri në vitin
akademik 2012/2013.
Kjo zgjidhje mbron interesin e nxënësve sepse lejon maturantët ambiciozë
të regjistrohen në universitete të huaja, dhe të pasurit dy provime interne për maturën shtetërore
lehtëson procesin e përgatitjes për provimin. Një shpërndarje më e drejtë e pikëve do të thotë që
edhe nëse një maturant merr një notë më të ulët në një provim, ajo notë nuk do të ndikojë ndjeshëm në numrin e pikëve të grumbulluara.
Sidoqoftë, si me çdo kompromis dhe zgjidhje, UNSHM kujdeset për ato që i përfaqëson –
nxënësit e shkollave të mesme. Kjo është arsyeja pse ne i dërguam Qeverisë disa kushte për
pranimin e kësaj zgjidhjeje me kompromis.
Kushti i parë është formimi i një TASK FORCE midis Qendrës Shtetërore të Provimit dhe UNSHM-së. Kjo TASK FORCE duhet të përfshijë përfaqësues të Unionit
(maturantë), mësimdhënës të emëruar nga ne dhe përfaqësues të QSHP-së. Task forca do të
drejtohet nga një përfaqësues i Zyrës së Kryeministrit. Ne planifikojmë që Task forca të punojë
deri në mes të Marsit dhe qëllimi i tij do të jetë të vendosë se cilat programe mësimore do të shkurtohen për provimet eksterne. Kjo siguron që zëri i maturantëve do të jetë i pranishëm në modifikimin e programeve të provimeve dhe se këto ndryshime do të ndodhin vërtet.
Kushti i dytë përcakton që mësimdhënësit të ndajnë materiale të provimit intern me nxënësit e tyre të paktën 3 javë para ditës së provimit. Me materiale provimi nënkuptojmë:
formatin e provimit, përmbajtjen specifike të mbuluar në të dhe përafërsisht 100 pyetje në lidhje me provimin.
Ky hap do t’u mundësojë maturantëve që të përgatiten siç duhet për provimet e
tyre. Kjo gjendje do të lehtësojë ndjeshëm procesin e përgatitjes. Kushti ynë i tretë është të rrisim koeficientin për marrjen e pikëve nëse provimi ekstern është i papërshtatshëm për studimet/drejtimin në të cilat maturanti është regjistruar.
Modeli aktual jep maksimumi 5 pikë për një provim ekstern të papërshtatshëm.
Ne duam që numri i pikëve të rritet në 7. Kjo mbron maturantët që kanë frikë se provimi i duhur ekstern do
të kthehet në një provim intern, kështu që ata do të humbin pikë. Kërkesa jonë e eliminon këtë
problematik që mundet të krijohet. Unioni i Nxënësve të Shkollave të Mesme vazhdon të luftojë që zëri i nxënësve të dëgjohet.
Autoritetet pranuan se ky vit shkollor nuk është si çdo tjetër dhe se provimi i maturës shtetërore
duhet të pësojë ndryshime. Megjithëse kemi arritur në një zgjidhje të përbashkët, lufta jonë do të vazhdojë derisa të zbatojmë zgjidhjen e plotë, si dhe kushtet tona të pranohen dhe implementohen siç duhet.
UNSHM do të monitorojë situatën me maturën shtetërore deri në fund të këtij viti shkollor. Nxënësit e shkollave të mesme – arritëm një marrëveshje dhe zgjidhëm paqartësitë.
Zëri juaj është alfa dhe omega për ne – lufta për të drejtat e shkollës së mesme vazhdon më e
fortë se kurrë!