Është e domosdoshme që mësimi të zhvillohet me prezencë fizike dhe do ta sigurojmë atë pavarësisht mungesës së vëmendjes së pushtetit qendror ndaj problemeve me të cilat ballafaqohet vetëqeverisja lokale, gjë që dëshmohet edhe nga reduktimi i subvencioneve dhe transfereve në kohën e krizës së rëndë energjetike dhe ekonomike, bëri të ditur sot komuna e Aerodromit.
Në kumtesë citohet se Komuna “mbetet fuqishëm në qëndrimin se është e domosdoshme që nxënësit të mbesin në bankat shkollore, ndërsa çdo vendim në kundërshtim me këtë negativisht do të reflektohet në të gjithë procesin arsimor”.
“Komuna e Aerodromit do t’i ndërmarrë të gjitha hapat që të rinjtë të mund të vijojnë mësimet e rregullta dhe të mos rrezikohet procesi arsimor. Përfshirë edhe marrjen e të gjithë barrës që do të rezultojë nga kostot e sigurimit të mësimit me prezencë fizike, nëse urdhërohet nga ana e pushtetit qendror. Kujtojmë se Komuna e Aerodromit tashmë po merr masa serioze për kursimin e energjisë elektrike. Të gjitha shkollat fillore u pajisën me fotovoltaikë, gjë që rriti pavarësinë e tyre energjetike dhe uli ndjeshëm kostot, ndërsa disa shkolla morën fasada me efikasitet energjetik”, informon Komuna.