Klasat e nënta i morën dëftesat! Shkollat e mesme hapën dyert, nesër nisin regjistrimet

Jashtë nuk po i kushtojnë vëmendje distancës, as edhe mbajtjes së maskës. Madje mes nxënësve të klasave të nënta, nuk mungonin as përqafimet. Por neglizhimi i masave kundër Kovid-19 nuk ndodhte edhe kur prisnin rend për të marrë dëftesat.
Para derës së shkollës fillore “Imri Elezi” nxënësit e klasave të nënta prisnin në distancë, me maska në fytyrë dhe kur arsimtari Mitat Shaqiri ua thërriste emrin, në derë dezinfektonin duart dhe hynin në shkollë. Notat i merrnin në korridor, secili nxënës veçmas.
Duket se shkolla u mungonte shumë, sepse edhe pasi merrnin dëftesat, qëndronin në oborrin e shkollës.

Punonjës: “Ai ke marrë notat? Atëherë shkoni në shtëpi mos qëndroni të grumbulluar”

Përgatitja nuk ishte e vështirë për shkollat fillore, pasi siç tha drejtoresha e kësaj shkolle, “Imri Elezi”, Merita Koxhaxhiku një përgatitje paraprake e kishin pasur me regjistrimin në klasat e para.

“Nuk ishte e vështirë, sepse e bëmë një orar. Kujdestarët i caktuan oraret dhe i lajmëruan prindërit. Kemi tre klasë të nënta. Klasa e nëntë 1 ishte prej në ora 9 dhe mbaroi në ora 10, pastaj klasa tjetër prej në ora 10 dhe tash është klasa e tretë sipas rendit me termine të caktuara,” tha Merita Koxhaxhiku, drejtorëshë e SHFK “Imri Elezi”.

Shumica e  nxënëse që i intervistuam thanë se do të regjistrohen  në shkollën e mesme të mjekësisë “Pançe Karagjozov”.

“Po, pak më herët i morëm dëftesat e klasës së nëntë, sepse unë jam klasa e nëntë. Tash për shkak të pandemisë, nuk na është lejuar që të hymë në shkollë pa maska dhe pa doreza, gjithashtu ka pasur mjete për dezinfektim. Kam dëshirë të regjistrohem në shkollën “Pançe Karagjozovski” në drejtimin farmaci,” tha Xhemile Ibrahimi, nxënëse e klasës së nëntë.


“Po, sot i kemi marrë dëftesat dhe jam shumë e kënaqur me notat, se kam kaluar 5.00. Ku po planifikon të regjistrohesh? Në “Pançe Karagjozov”,” tha një nxënëse e klasës së nëntë.

Në shkolla të mesme regjistrimet do të fillojnë prej nesër, për këtë në gjimnazin “Zef Lush Marku” tashmë kishin bërë përgatitjet. Personi përgjegjës për zbatim të Protokollit të veçantë për regjistrim, Ajshe Beqiri sqaron se si duhet nxënësit të sillen kur shkojnë për t’u regjistruar.

“Është obligative që nxënësi që vjen këtu për t’i dorëzuar dokumentet, të mbajë maska ose shall apo faculetë duke mbuluar hundën dhe gojën. Poashtu, dokumentacioni duhet të kompletohet paraprakisht dhe këtu duhet vetëm t’i dorëzojë. Nuk lejohet assesi plotësimi i dokumenteve në shkollë. Flet paraqitja që dorëzohet shkarkohet nga ueb faqja e Ministrisë së Arsimit,” tha Ajshe Beqiri, gjimnazi “Zef Lush Marku”.

Gjatë hyrjes do të dezinfektohen duart dhe do t’u matet temperatura. Nëse termometri merr ngjyrën e gjelbër, nxënësit i lejohet të hyjë brenda. Gjatë pritjes detyrimisht duhet të ruhet distanca prej dy metrave.

“Sipas alfabetit bëhet edhe paraqitja. Do të thotë nxënësit që kanë mbiemrin me A, B, C, Ç dhe D do të paraqiten nesër.”

Regjistrimi në shkolla të mesme do të zgjasë katër ditë. Fillon nesër më 16 qershor dhe përfundon  më 19 qershor.

Burimi: TV21