Procesi arsimor në vende të ndryshme të Evropës është zhvilluar në mënyra të ndryshme, me disa ndryshme si rezultat i pandemisë së shkaktuar nga virusi Kovid-19, ashtu që në disa vende është zhvilluar me prani fizike, në disa vende online, derisa diku në formë të kombinuar. Portalb.mk ka biseduar me mësues nga disa vende të Evropës për të na treguar përvojat dhe sfidat me të cilat janë përballur gjatë kësaj periudhe, transmeton Portalb.mk.
- Në Portugali mësimi është zhvilluar me prezencë fizike, me disa ndryshime që i theksoi mësimdhënësi Pedro Lanços.
“Mësimi zhvillohet me prezencë fizike. Duke ndjekur rekomandimet e Autoriteteve shëndetësore. Distancë në banka dhe anashkalim i aktiviteteve në grupe”, deklaroi Lanços, duke sqaruar se viti shkollor ka filluar në datë të njëjtë.
- Mësimdhënësja nga Greqia, Gjorgjia Ropi tregoi se procesi mësimor është zhvilluar me prani fizike, me disa kufizime, si ushqimi për nxënësit ka qenë nga kuzhina e shkollës i paketuar.
“Mësimi është zhvilluar me prani fizike, ashtu që mbajtja e maskës ka qenë e detyrueshme për mësimdhënësit dhe nxënësit, distanca fizike, mënjanimi i këmbimit të gjërave (libra, laps etj), larja e duarve dhe përdorimi i dezinfektuesve, anulimi i gjithë aktiviteteve grupore, si sportive e muzikore, përfshirë edhe festimet e shkollës”, deklaroi Ropi, duke sqaruar se në klasat e tyre zakonisht ka nga 20 deri 27 nxënës.
Ropi theksoi se zakonisht viti shkollor fillon më 11-të shtator, por këtë vit ka filluar më 14-të shtator, duke theksuar se nuk ka pasur ndryshim të orëve të punës për mësimdhënësit, gjegjësisht as ndryshim të pagave.
- Puna dhe pagat e arsimtarëve nuk kanë ndryshuar në Lituani, tregoi Majlut Balbieriute, ku procesi arsimo gjithashtu është zhvilluar me prani fizike.
“Procesi arsimor në Lituani u zhvillua me prezencë fizike, me kujdes të shtuar dhe maska mbrojtëse. Nxënësit nuk mund të komunikojnë me nxënësit e klasave të tjera gjatë pushimit”, deklaroi Balbieriute, duke sqaruar se procesi arsimor filloi si zakonisht më 1 shtator.
Ndryshe, në Maqedoninë e Veriut procesi arsimor nuk ka filluar prej 1 shtatorit si zakonisht, por prej 1 tetorit. Sivjet procesi është zhvilluar në formë të kombinuar, derisa për një pjesë të mësimdhënësve pati rritje të orëve të punës, por jo rritje të rrogës.