Është hapur aplikimi për sezonin e ri të aktivitetit edukativ “Kam qëndrim!”, i organizuar nga Kuvendi i Republikës së Maqedonisë së Veriut, i cili do të mbahet virtualisht gjatë muajve mars dhe prill. Për këtë aktivitet mund të aplikojë çdo shkollë e mesme në vend. Aktiviteti edukativ “Kam qëndrim!” është simulim i procesit të paraqitjes së projektligjeve në kuadër të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut. Siç mund të kuptohet edhe nga emri, aktiviteti i udhëhequr nga Instituti Parlamentar i nxit pjesëmarrësit që të kenë qëndrim për çështjet aktuale politike dhe do të kenë mundësinë që t’i mbrojnë ato, duke i paraqitur argumentet e tyre. Një nga qëllimet më të rëndësishme të këtij aktiviteti është afrimi i punës së Kuvendit dhe miratimit të ligjeve me të rinjtë. Ai do të kontribuojë në zhvillimin e ndërgjegjësimit për demokracinë, si dhe nxitjen dhe përgatitjen për përfshirje dhe kritikë sociale dhe politike. Ky aktivitet është përgatitur sipas shembullit të aktivitetit edukativ “My Point of View” nga Parlamenti Federal i Konfederatës Zvicerane.
Pjesëmarrës në simulimin, i cili do të fillojë më 15 mars 2022, janë nxënës të shkollave të mesme, të udhëhequr nga deri në tre mentorë-profesorë. Pjesëmarrja në “Kam qëndrim!” është kolektive, gjegjësisht pjesëmarrësit aplikojnë si grup dhe jo individualisht. Për shkak të situatës në vendin tonë, e shkaktuar nga pandemia me COVID-19, Instituti Parlamentar vendosi që këtë vit seancat e simuluara të zhvillohen virtualisht, duke përdorur një platformë softuerike për bashkëpunim online.
Aktiviteti edukativ “Kam qëndrim!” zhvillohet që nga viti 2019. Shkollat që kanë garuar deri tani, ndajnë përvojën e tyre dhe theksojnë rëndësinë e këtij aktiviteti, i cili besojnë se ka një efekt pozitiv te nxënësit.
“Si pjesëmarrëse në projektin “Kam qëndrim!” së bashku me nxënësit e mi, e them me shumë kënaqësi se ishte një përvojë e mrekullueshme për të gjithë ne, e cila gjithashtu ndikoi pozitivisht te nxënësit për sa i përket formësimit të pikëpamjeve të tyre. Shpresojmë që të bashkëpunojmë sërish në të ardhmen, përkatësisht të na ftoni që të marrim pjesë në aktivitete të tilla”, – tha Ganimete Reçi-Bislimi, profesoreshë në SHMQSH “Arseni Jovkov” nga Shkupi.
Igor Hristov, drejtori i shkollës së mesme “Ljupço Santov” – Koçan, shkollë kjo e cila për shumë vite në vazhdimësi merr pjesë në aktivitetin “Kam qëndrim!” tha:
“Nxënësit dëshirojnë të marrin pjesë në aktivitete të tilla sepse e afirmojnë mendimin e tyre kritik, njihen më thellë me organin legjislativ, si dhe me rëndësinë e tij në shoqëri. Nxënësit mësojnë rëndësinë e aktivizmit qytetar, përmes të cilit mund të ndërmerren nisma për ndryshimin e normave ligjore, si dhe rëndësinë e shtetit të së drejtës në vendin tonë. Së fundi, nxitet shpirti krijues dhe garues i nxënësve të shkollave të ndryshme. Kjo është një platformë e mirë praktike për të demonstruar dhe shprehur njohuritë e nxënësve në fushën e drejtësisë“.
“Rinia është e ardhmja e vendit dhe çdo vend është e ardhmja dhe përparimi i botës. “Kam qëndrim” është pikërisht një aktivitet i tillë, i cili na jep mundësinë të vihemi në vendin e njerëzve që vendosin për ne: Parlamenti, Kuvendi dhe deputetët; si është të ndjesh energjinë dhe botën e tyre? Duhet të jemi të kujdesshëm dhe të vendosim se cila do të jetë zgjedhja jonë jetësore, e cila kërkon përgatitje paraprake dhe “Kam qëndrim” është një aktivitet me përgatitje paraprake, perceptim më të mirë të këtij profesioni dhe aftësi të shkëlqyera oratorike. Të jesh jurist dhe udhëheqës i një vendi do të thotë shumë dhe vështirë se dikush mundet dhe ia del mbanë. Pikërisht nga kjo krijimtari do të zbulojmë se kush është më i miri, sepse ne nuk mësojmë nga më të suksesshmit, por nga ata më me përvojë”, – tha Jovana Petrovska, nxënëse e SHMEJQSH “Vasil Antevski Dren”, e cila deri tani ka marrë pjesë në “Kam qëndrim!” tre herë.
Rekomandohet që shkollat të marrin pjesë dhe të përfshihen, sepse të rinjtë i zhvillojnë pikëpamjet e tyre për temat aktuale në shoqëri dhe argumentojnë për to. Me këtë nxitet karakteri garues, përkatësisht shkollat garojnë me njëra-tjetrën. Në ngjarjen finale marrin pjesë tri shkollat më të mira dhe fituesi kurorëzohet me një trofe solemn që ndahet nga Kryetari i Kuvendit.
Të gjithë pjesëmarrësit fitojnë një vizitë virtuale në ndërtesën e Kuvendit, si dhe çmime dhe mirënjohje. Afati i aplikimit përfundon më 20 shkurt 2022.
Zbuloni më shumë në lidhjen e videos në vijim: