Jeton Shaqiri paralajmëron TRI rritje të pagave në arsimin fillor dhe të mesëm

Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Jeton Shaqiri ka qenë mysafir në “10 minuta” në TV21.

Ka folur për rritjen e pagave në universitete, ndërkaq ka paralajmëruar edhe rritje të pagave në arsimin fillor dhe të mesëm.

Siç bëri të ditur Shaqiri, rritja parashihet me nënshkrimin e marrëveshjes kolektive në fushën e arsimit, e cila për momentin është në fazë të finalizimit mes SAShK-ut dhe Ministrisë së Punës dhe Politikës Sociale.

Shaqiri shprehu gatishmërinë që sapo të përfundojnë këto diskutime, si MASh do të nënshkruajnë marrëveshjen.

“Unë do të jem i gatshëm ta firmos marrëveshjen kolektive e cila marrëveshje kolektive parasheh, në vlerën komulative, 30% rritje të pagave në muajin shtator, rritje të pagave në janar të vitit të ardhshëm dhe gjithashtu në janarin e vitit 2026”, njoftoi Shaqiri dhe shtoi se po pritet vetëm konfirmimi nga Ministria e Financave.