Të hënën Unioni i Nxënësve të Shkollave të Mesme do të protestojë në Shkup për shkak se nuk dëshirojnë që ky vit shkollor të fillojë vetëm me mësim online. Schoolture.info ka realizuar një intervistë me kryetarin e UNSHM-së, Blendi Hodai, i cili thotë se ata si Union janë të vendosur në kërkesat e tyre dhe nuk heqin dorë deri në plotësimin e këtyre kërkesave nga autoritetet shtetërore. Hodai gjatë bisedës flet edhe për gjuhën e urrejtjes që është përdorur këtyre kundër tij, si dhe për të kalurën e Unionit të Nxënësve të Shkollave të Mesme.
Schoolture: Në flisni për qëllimet e protestës që do të zhvillohet të hënën nga ana e Unionit të Nxënësve të Shkollave të Mesme?
Blendi Hodai: UNSHM të hënën në ora 17:30, para MASH në Shkup – nxënësit do të protestojnë kundër mësimit të tërësishëm online, duke ofruar si metodë më efektive mësimin hibrid apo të kombinuar.
Të gjithë nxënësit, prindërit e mësimdhënësit janë të ftuar në protestë.Më poshtë po i theksojmë kërkesat tona që ja kemi paraqitur dhe Qeverisë:
KËRKESAT:
1. Nxënësit të njihen si partnerë të barabartë në të gjitha proceset e vendimmarrjes jo vetëm brenda shkollës, por edhe në politikë, në shoqërinë civile, dhe kudo që merren vendime që ndikojnë në jetën e shkollës dhe të nxënësve;
2. Mësim i kombinuar apo hibrid si mënyrë më efikase e të mësuarit gjatë kohës së pandemisë, bazuar në gjendjen epidemiologjike të qyteteve.
Shkollat t’i krijojnë grupet e nxënësve të cilët do të shkojnë në shkollë dhe të tjerët online. Rotacioni i grupeve të bëhet çdo dy ditë.
3. Qasja e decentralizuar – në vend të një zgjidhjeje për të gjitha grupet, secila komunë dhe secila shkollë të vendosë për mënyrën më të mirë dhe më të sigurtë për ndjekjen e mësimit.
4. Në shkollat profesionale, praktika të bëhet me prezencë fizike duke respektuar masat mbrojtëse.
5. Të respektohen masat e higjienës shëndetësore duke siguruar mjete adekuate, përfshirë sapun, dezinfektues të duarve me së paku 60% alkool, letra higjienike dhe letra higjienike dezinfektuese.
6. Shkollat duhet të rikthehen në mënyrën e të mësuarit në distancë në rast se grupe të ndryshme apo 5% e stafit & nxënësve dalin pozitivë në 14 ditë.
Schoolture: Çka nëse edhe pas protestave nuk plotësohen kërkesat e juaja? A keni planifikuar cilat mund të jenë hapat e mëtutjeshme?
Blendi Hodai: Unioni dhe unë në daljet publike e kemi theksuar disa herë se nëqoftënse kërkesat tona hasin në veshë të shurdhër nga Qeveria, ne do të bojkotojmë mësimin online duke qenë OFFLINE.
Schoolture: E shohim se kohën e fundit keni qenë cak i gjuhës së urrejtjes dhe shoviniste në rrjetet sociale, raste të cilat edhe vet i keni denoncuar në profilin tuaj në Fejsbuk. Cili do të ishte mesazhi yt për ata persona të cilët e bëjnë një gjë të tillë?
Blendi Hodai: Për fat të keq, ne jemi ende nën ndikimin e retorikës së Ballkanit duke gjykuar e ofenduar njerëzit në bazë të përkatësisë nacionale e fetare. Nuk ka aspak vend për demotivim, vazhdojmë fuqishëm duke i marshuar rrugët e Shkupit të hënën ku të gjithë janë të ftuar të jenë pjesë e protestës.
Schoolture: Na flisni pak për UNSHM-në, një biografi të shkurtët të veprimit?
Blendi Hodai: 1. UNSHM është një lëvizje nxënësish e pavarur, jopartiake dhe jo-profituese, e themeluar në Nëntor të 2017 në Tetovë, Maqedoninë e Veriut.
2. UNSHM shërben si një platformë për nxënësit përreth gjithë shtetit që të bashkohen në një lëvizje të fuqishme nxënësish.
3. UNSHM për herë të parë në historinë e Maqedonisë, ka bashkuar të gjithë nxënësit pa marrë parasysh backgroundin etnik, fetar dhe statusin ekonomik që ata kanë.
4. Për herë të parë në historinë e lëvizjeve të nxënësve në RMV, UNSHM ka arritur të veproj në 17 qytete të vendit me 500+ anëtarë dhe 47 përfaqësues.
5. Zëri i nxënësve në RMV, asnjëherë nuk ka qenë kaq i faktorizuar në nivel të shtetit.
6. Sot fal angazhimit të UNSHM, nxënësit janë pjesëmarrës në politikat arsimore nacionale.
7. Si asnjëherë më parë, Kryeministri, Ministresha e Arsimit, Ministri i Shëndetësise (etj) konsultohen me UNSHM për rihapje të sigurtë të shkollave.
8. UNSHM ka të përgatitur manifesto për reformë të mirëfilltë arsimore me 75+ kërkesa e rekomandime për autoritetet arsimore dhe Qeverinë.
9. Nxënësit tashmë janë të përfaqësuar edhe në arenën ndërkombëtare nga UNSHM, duke patur dhjetra takime me diplomatë dhe ambasadorë të vendeve Europjane dhe SHBA-ve
10. Ditëve të sotme, problemet e nxënësve i gjeni në çdo TV dhe medium.