Ministrja e Punës dhe Politikës Sociale Jovana Trençevska, ka deklaruar se punonjësve në arsim të cilët janë në grevë, do t’u paguhen vetëm kontributet, ndërsa e ka ftuar SASHK-un t’ua paguajë rrogat.
Ajo tha se kjo është e definuar në marrëveshjen kolektive në raste të grevës, përcjell Telegrafi Maqedoni.
“E njëjta gjë përcaktohet edhe në Ligjin për Marrëdhëniet e Punës ku thotë se në kushtet e grevës punëdhënësi është i obliguar që të gjithë ata punëtorë që janë në grevë t’u paguajë kontributet në bazën më të ulët për pagesën e kontributeve. Neni tjetër i ligjit, 241, i jep mundësi SASHK-ut që të gjithë ata punëtorë që janë në grevë t’u sigurojë pagesë neto. Prandaj besoj se bëhet fjalë për respektimin e ligjit dhe kontratës kolektive dhe jo për ndonjë presion apo shantazh nga ana e Ministrisë ndaj kopshteve, gjegjësisht punonjësve që janë në grevë”, tha Trençevska.
Ajo shtoi se nëse nënshkruan që t’u paguhen pagat grevistëve, mund të ketë edhe përgjegjësi penale.