GREVA/ Dita e shtatë bojkotit në Arsim – Këto janë detajet e fundit

Greva në kopshte dhe arsim ka vazhduar në ditën e shtatë të saj. Ministri i Arsimit, Jeton Shaqiri sërish kërkoi nga sindikata ndërprerjen e grevës dhe rikthimin e nxënësve në mësim, shkruan Alsat.

Shaqiri kujtoi se rritja e pagave prej 10% është rritja më e lartë deri më tani, në kohë të një krize të thellë siç gjendet vendi për momentin.

“Ne mund të vazhdojmë negociatat për këtë temë të rëndësishme çdo ditë, por nuk dua që procesi arsimor të ketë pasoja. Nëse kthehemi pas në kohë, këto 10 për qind janë përqindja më e lartë për rritjen e pagave në arsimin fillor dhe të mesëm. Por po e them edhe një herë, nuk ndalemi këtu, kemi vend për diskutim, por gjithmonë kini parasysh se kjo përqindje është në një situatë shumë të ndryshme për momentin sepse në vitet e kaluara nuk ka pasur një krizë të tillë ekonomike”, tha Jeton Shaqiri, ministër i Arsimit dhe Shkencës.

Ministrja e Punës dhe Politikës Sociale Jovanka Trençevska tha se punëdhënësit duhet t’i paguajnë kontributet e grevistëve, por, sipas saj, pagën neto të secilit të punësuar që është në grevë duhet ta paguaj SASHK-u. Trençevska gjithashtu theksoi se nga punëtorët në çerdhe është kërkuar që të mbahet evidencë se kush është në grevë, përkatësisht që shteti të mund t’u paguajë rrogat e atyre që kanë shkuar në punë rregullisht.

Avokati i Popullit, Naser Ziberi tha se në institucionin e tij tashmë kanë arritur 4 ankesa për ndërprerje të procesit mësimor.

“Paralelisht bëhet fjalë për dy të drejta të garantuara me kushtetutë, por në këtë rast, edhe dokumentet ndërkombëtare. Konventa për të drejtat e fëmijëve thotë në rast të ndeshjes së dy të drejtave, përparësi duhet t’i jepet të drejtës së fëmijës që nënkupton se procesi mësimor nuk duhet të ketë pasoja”, u shpreh Naser Ziberi, Avokat i Popullit.

Sipas SASHK-ut, në grevë të përgjithshme janë mbi 25 mijë të punësuar në çerdhe dhe shkolla./ Alsat.mk