GJERMANIA JEP 500 MILIONË EURO PËR MËSIMIN DIGJITAL NË KOHË PANDEMIE

Në Gjermani hapja e shkollave ka nisur qysh në fillim të gushtit. Deri tani rregullat e higjienës nuk kanë qenë të rrepta. Por landet tani po bëhen gati për rritjen e infektimeve.

Në shumicën e klasave në Gjermani, sikurse edhe në këtë klasë në Dortmund, përdorimi i maskave është vullnetar.

Në Gjermani rregulloret e shkollave në kohë korone i vendos secili land më vete. Ministrat e arsimit në 16 landet federale kanë hartuar plane, të përbërë prej disa fazash, ku përcaktojnë se si do të veprojnë në raste infektimesh. 

Kështu për shembull, ndërsa në Munih (zonë e kuqe), maskat janë të detyrueshme edhe gjatë mësimit, në shkollat e landeve të tjera, nxënësit vendosin vetë nëse duhet t’i mbajnë maskat në klasë. Në korridore, mensa, dhe ambiente të tejra të përbashkëta, ato janë me detyrim në të gjithë Gjermaninë. Munihu konsiderohet si zonë e kuqe, pasi deri të martën, 22.09.20, në të ishin shënuar 7 ditë radhazi mbi 50 infektime të reja në çdo 100 mijë banorë. Në Berlin, sa për krahasim, incidenca e infektimeve të reja është 24,4 pro 100 mijë banorë. 

Rregullat në shkolla

Në klasa është paraparë hapja e dritareve për ajrosje çdo njëzet minuta, nga 15 minuta. Mësimi i muzikës dhe i sportit, si edhe ngrënia e drekës, e cila për shembull në Berlin është falas, deri tani, është bërë në ambiente të hapura, pasi moti  ka qenë i mirë. Por që tani, ministrat e arsimit, të cilët u mblodhën të hënën, 21.09.20,  te kancelarja gjermane Angela Merkel, po vrasin mendjen se si do t’ia bëjnë, kur të keqësohet moti, dhe jo të gjitha këto masa do të jenë të mundshme. 

Në Gjermani u është lënë prindërve në dorë të kontrollojnë shëndetin e fëmijës. Kështu për shembull, nëse në Berlin, prindi sheh që fëmija ka simptoma të lehta rrufe, por pa temperaturë, ka të drejtë ta çojë fëmijën në shkollë. Nëse situata keqësohet, për shembull, sipas udhëzimeve të senatit të Berlinit, fëmija duhet të rrijë 24 orë në shtëpi, në rast përkeqësimi të mëtejshëm, prindi duhet të konsultojë mjekun, e nëse ky i rekomandon testin, atëherë fëmija duhet të rrijë në karantinë për 48 orë rresht. Ne rast se testi del pozitiv, atëherë zyra e shëndetësisë vendos nëse do të mbyllet klasa, ose në rast nevoje edhe shkolla. 

Konferenca e ministrave të arsimit, KMK, nuk ka evidenca për të gjithë Gjermaninë, se sa shkolla janë mbyllur deri tani. Por, për shembull, sipas burimeve të landit Renani Veriore – Vestafli (NRW) deri tani, në këtë land,  janë mbi 7000 nxënës  dhe 600 mësues në karantinë,  ndërkohë që katër shkolla janë mbyllur, ndërsa në 106 shkolla te tjera ka mbyllje te pjesshme.  Në Bavari janë aktualisht 9000 nxënës në karantinë, 343 nxënës të infektuar  dhe 48 mësues të infektuar me Covid 19. 

Matje temperature

Deri tani, në Gjermani nuk është praktikuar matja e temperaturave, para se të hyhet në klasë. Por keqësimi i motit, që pritet të ndodhë në muajt e ardhshëm, dhe së bashku me të dhe rritja e infeksioneve, po kërkon zgjidhje të reja. Kështu për shembull, Mecklenburg Vorpommern (Meklenburg Pomerania e Përparme) është landi i parë në Gjermani që dëshiron të testojë në projekt pilot matjen masive të temperaturës te fëmijët. “Ne do t’i blejme aparaturat, por nuk dihet nëse ky shpenzim do të sjellë dobi”, tha kryeministrja e landit, Manuela Schwesig, nga Partia Socialdemokrate, të hënën, më 21.09.2020.  në Shverin. “Prandaj do të nisim me një fazë pilot, e pjesëmarrja do të jetë vullnetare. Kjo do të testohet në nga një kopsht dhe shkollë për çdo rreth ose qytet.”

Paralelisht me masat e higjienës shkollat po përgatiten që në rast nevoje të kalojnë në planin digjital. Federata, u ka vënë ministrave në dispozicion 500 milionë Euro për të forcuar digjitalizimin në shkolla, pajisjen me internet të shpejtë të shkollave, dhe pajisjen e mësuesve dhe – në rast nevoje edhe të nxënësve –  me kompjuterë./DW