FOCIS në Shkup hap Shkollën e Shkencave Shoqërore, aplikimi falas

Fondacioni Qendra e Civilizimit Islam do të organizojë  Fondacionit Qendra e Civilizimit Islam ne Shkup. Mundësia për aplikim është deri më datën 07 Shkurt 2020, ndërsa shkolla do të startojë nga 15 Shkurt dhe do tëo zgjasë 04 Prill.

Ja dhe njoftimi i bërë nga FOCIS mbi Shkollën:

Përshkrimi:

Shkolla e Shkencave Shoqërore është përpjekje modeste akademike me qëllim të informimit, edukimit dhe arsimimit të studentëve, dashamirëve të dijes dhe studiuesve të rinj të shkencave shoqërore. Qëllimi i kësaj shkolle është që përmes një metodologjie shumë-disiplinore, të promovohet një ligjërim teorik përmes të cilit ndërtohet subjekti në fushën e etikës, estetikës dhe politikës. Përmes kësaj shkolle synohet avancimi i ndërtimit teorik të studentëve shqiptarë në Shkup dhe më gjerë. Shkolla do të realizohet për 8 javë radhazi. Ligjëratat do të mbahen çdo të shtune nga ora 10:00, deri në 17:00. Shkolla pritet të fillojë me 15 shkurt dhe të mbarojë me datë 4 prill të viti 2020. Shkolla organizohet në kuadër të Fondacionit Qendra e Civilizimit Islam.


Modulet:

201 Historia e shqiptarëve jashtë Shqipërisë londineze 1912-1990

202 Letërsia bashkëkohore shqiptare

203 Historia e mendimit politik

204 Origjina dhe transformimet e identitetit kulturor dhe politik tek Shqiptarët

205 Estetika Islame

206 Metodat e shkrimit eseistik

207 Filozofia Logos-a


Ligjëruesit:

Qerim Lita – Histori

Shkëlzen Halimi – Letërsi

Metin Izeti – Estetikë

Zeqirija Ibrahimi – Filologji

Latif Mustafa – Filozofi


Të pranueshëm:

Inkurajohen të gjithë dashamirët e dijes të aplikojnë në këtë program të ngjeshur 8 javor. Për aplikim, secili aplikues duhet të dërgojë CV-në (informatat personale dhe shkollimin), një letër motivuese përmes së cilës shkruan rreth qëllimeve të ndjekjes së kësaj shkolle si dhe lëndët e përzgjedhura. Aplikuesit mund të zgjedhin lëndët për të cilat kanë interes.

Të përzgjedhurve do t’i dërgohen syllabuset e lëndëve dhe orari lëndëve.


Për pyetje dhe informacione të mëtejshme:

Koordinator: Latif Mustafa

FB: https://www.facebook.com/latif.mustafa.33

Email: latif_mustafa@hotmail.com


Përshkrimi i lëndëve:

201 Historia e shqiptarëve jashtë Shqipërisë londineze 1912-1990

Ligjërues: Dr. Qerim Lita

Përmes këtij moduli do të shpjegohen etapat më me rëndësishme të historisë bashkëkohore të shqiptarëve të mbetur jashtë Shqipërisë londineze. Pas shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë, më tepër se gjysma e popullsisë së saj mbetet jashtë territorit të saj. Kjo popullsi shqiptare, e copëtuar më vonë në republikat e Jugosllavisë, pas përjetimit të kolonizimit ushtarak, do të përpiqet me të gjitha kapacitetet të organizojë jetën politike dhe sociale. Ligjëruesi i lëndës përpos shpjegimit narrativ, ai do të ofrojë dokumente të shumta arkivore të cilat flasin për shqiptarët nën pushtimin e mbretësirës Jugosllave, organizatën “Xhemijeti” dhe rolin e saj në ruajtjen e identitetit shqiptar; Rolin e ulemasë dhe intelektualëve shqiptarë në pengimin e shpërnguljes shqiptare; Organizatën Nacional Demokratike Shqiptare – NDSh; si dhe rolin dhe ndikimin e organizatave politike në diasporën shqiptare.


202 Letërsia bashkëkohore shqiptare

Ligjërues: Shkëlzen Halimi

Në kuadër të ligjëratave rreth Letërsisë bashkëkohore shqiptare, një temë kjo përherë aktuale dhe mjaftë sfiduese, do të bëjmë përpjekje që të ofrojmë një informacion të gjerë dhe nevojshëm rreth letërsisë sonë më të re, zhvillimit të saj, por edhe rreth emrave që u veçuan në etapat e ngritjeve dhe rënieve (për shkaqe ideologjike) të letërsisë sonë. Natyrisht, do të jetë i nevojshëm edhe një informacion rreth asaj se çka i parapriu letërsisë sonë bashkëkohore, për të pasur një pasqyrë më të kompletuar. Letërsia, siç dihet, përfshin disa gjini: poezinë, prozën, dramën, kritikën etj. Specifikë e letërsisë shqiptare është edhe fakti se u zhvillua e ndarë: në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Maltë të Zi, Luginë e Preshevës dhe diasporë.


203 Historia e mendimit politik

Ligjërues: Latif Mustafa

Në kuadër të këtij kursi, më saktësisht, do të trajtohet origjina e trajektores së zhvillimit të mendimit politik, teoritë politike, ideologjitë politike, kombet dhe nacionalizmi; si dhe demokracia dhe globalizmi. Në kuadër të origjinës së mendimit politik, do të diskutohen idetë e Republikës së Platonit, Politikës së Aristotelit, Princit të Makiavelit, Leviatanin e Hobsit, Adam Smithin dhe Kontratën Shoqërore të Rusosë. Në kuadër të teorive dhe ideologjive politike, konceptualisht, do të bisedohet rreth koncepteve më themelore siç janë: liria, drejtësia, barazia, të drejtat e njeriut, kontrata sociale dhe koncepte të tjera me rëndësi; kurse sa i përket ideologjive, të konceptet ravizohen konceptet si, anarkia, sekularizmi, republikanizmi, kapitalizmi, socialdemokracia, konzervatorizmi dhe konceptet të tjera të një rëndësie të njëjtë. Në këtë kurs, po ashtu, dëgjuesit do të kenë mundësi të dëgjojnë rreth sociologjisë politike të kombit dhe nacionalizmit, fenomene dhe lëvizjeve globale dhe mekanizmave dhe akterëve të tjerë politik.


204 Origjina dhe transformimet e identitetit kulturor dhe politik tek Shqiptarët

Ligjërues: Dr. Zeqirija Ibrahimi

Përmes këtij moduli synohet të shpjegohet nocioni identitet dhe teoria e identiteteve, për ardhur te tema e identitetit shqiptar. Duke iu referuar burimeve historike, do të përvijohet ndërtimi i identitetit etnik dhe kombëtar shqiptar. Për këtë arsye do të referohemi në të dhënat e pakta të antikitetit, do të flasim për mesjetën arbërore, për të ardhur në periudhën e sundimit osman, kur edhe lindi emri shqiptardhe gjuhë shqipe.

Për këtë arsye është me rëndësi të shpjegohet se kush janë ilirët, arbërit dhe shqiptarët. Në këtë drejtim do të duhet të shpjegohet edhe historia e kalimit të shqiptarëve nga organizimet fisnore, krahinore, gjuhësore e religjioze në identitetin e tyre politik e kulturor. Këtu vjen në shprehje historia politike e shqiptarëve: Lidhja e Prizrenit, Rilindja Kombëtare shqiptare, pavarësia e Shqipërisë, shqiptarët mes dy luftërave botërore, shqiptarët pas Luftës së Dytë Botërore dhe shqiptarët pas rënies së komunizmit. Në këtë kontekst do të shqyrtohen idealet e kombit në këto periudha historike, për të ardhur në artikulimin e idealeve të sotme të kombit shqiptar.


205 Estetika Islame

Ligjërues: Prof. Dr. Metin Izeti

Kursi nga Estetika islame synon ti mësojë ndjekësit e tij ta mendojnë artin dhe estetikën si kategori filozofike dhe fetare , p.sh. Pse arti? Natyrisht estetika islame nuk ka për detyrë të shkollojë artistë, por ata duhet te jenë ne gjendje ta kuptojnë psenë e artit në raport me prodhimin, me te menduarit me përjetimin fetar me ritualin dhe me aktivitetet tjera te njeriut dhe shoqërisë. Kursi po kështu ka për qellim të ofrojë një panoramë estetike, apo estetikash gjatë zhvillimit historik të artit dhe shoqërisë (pra të jetë një histori e estetikës në miniaturë), për të parë fundamentimin filozofik te estetikës apo për te kuptuar veçorinë e fenomenit estetik në kuadër të kulturës myslimane.


206 Metodat e shkrimit eseistik

Ligjërues: Dr. Zeqirija Ibrahimi
Ideja e këtij moduli është që kandidatët ta kuptojnë nocionin ese, ta dinë përkufizimi teorik të termit, llojet e tij dhe të mësohen të shkruajnë ese. Temat që do të trajtohen në këtë model janë stilet e gjuhës/të shkruarit, llojet e eseve (treguese, përshkruese, letrare, kërkimore, shpjeguese dhe bindëse), ndërsa përmes informacioneve të gjuhësisë së tekstit, do të ilustrohet edhe se si ndërtohet tipat e ndryshme të eseve. Ky modul do të jetë më shumë praktik, ku studentët do të marrin për detyrë të shkruajnë ese dhe ato shkrime të mund të korrigjohen në orë bashkë me studentët.


Filozofia Logos-A
Koordinator: Latif Mustafa
Ky modul është i organizuar përmes debatit interaktiv dhe punëtorive të cilat do të udhëhiqen nga persona të ndryshëm. Ky modul do jetë më tepër një punëtori aktive që librin e merr për shkas të diskutimit. Librat e përzgjedhura, nga shtëpia botuese Logos-a, do t’i kontribuojnë metodës të mendimit dhe shkrimit kritik, ndërtimit të elokuencës dhe retorikës në përgjithësi. Përtej saj, këto libra mbartin edhe mesazhe mbi estetikën, hitorinë dhe globalizmin. Librat të cilat janë të përzgjedhur janë autorë si: Hobson, Dubois, Hunt, Grenier, Xheparoski dhe Ortayli.