Filluan punët në çerdhen “Rinia” – KOHA

Në pranverën e vitit të ardhshëm, objekti i kopshtit për fëmijë “Rinia”, në Tetovë do të rinovohet tërësisht. Në këtë periudhë kanë filluar punët rreth rregullimit të brendisë së këtij objekti. Sipas informacioneve, do të rregullohen dyshemetë, muret do të lyhen, ndërsa do të ndërrohen edhe dyert e mësonjëtoreve.

“Ishte paralajmëruar më herët se do të bëhet renovimi i këtij objekti, por për shkak të pandemisë me Covid-19, punët ishin shtyrë për një afat të pacaktuar. Në këtë periudhë do të rregullohen pjesët e epërme të klasave dhe në të ardhmen – këto mësonjëtore do të kenë hapësirë më të vogël, sepse kishim probleme gjatë ngrohjes pasi ishin hapësira të mëdha. Do të ndërrohen të gjitha dyert e mësonjëtoreve dhe zyrave tjera, muret do të lyhen edhe në pjesën e brendshme, kurse në disa vende do të vendoset edhe parket i ri”, deklaroi Ramije Dauti, drejtoreshë e kopshtit për fëmijë “Rinia” në Tetovë.

Mjetet për punët në këtë çerdhe janë siguruar përmes projektit Forumi në Bashkësi, ku vet qytetarët caktojnë prioritetet e mjeteve ku duhet të destinohen. “Po ashtu është paraparë edhe rregullimi i nyjeve sanitare. Mendojmë se deri në muajin prill të vitit të ardhshëm do të kemi një pamje krejt ndryshe të këtij objekti dhe fëmijët që do të qëndrojnë – do të kenë ambiente shumë të bukura”, deklaroi drejtoresha Dauti. Sipas saj, në këtë periudhë mund edhe të punohet, sepse ka numër të vogël të fëmijëve që qëndrojnë në çerdhe dhe njëkohësisht mund të zhvillohen punime rreth renovimit të objektit.

Objekti i çerdhes për fëmijë “Rinia” ndodhet në afërsi të qendrës sportive në Tetovë. Jo rrallë herë pranë kësaj qendre në të kaluarën shumë të rinj kalonin natën duke konsumuar alkool, të cilët ishin denoncuar nga qytetarë të shumtë. Kësisoj, edhe policia e Tetovës disa herë në të kaluarën ka ndërmarrë aksione bashkë me prindërit për të parë se ku qëndrojnë fëmijët e tyre gjatë orëve të natës, dhe janë kapur duke konsumuar alkool. Por, këtë vit situata është më ndryshe për shkak të pandemisë sepse këta institucione janë duke punuar me më pak kapacitete dhe sipas protokolleve të Ministrisë së Shëndetësisë. Sipas protokolleve, për fëmijët deri në moshën 3-vjeçare, maksimum në një dhomë mund të qëndrojnë gjashtë fëmijë, kurse nga mosha 4 deri në moshën 10-vjeçare maksimum në një dhomë mund të qëndrojnë 15 fëmijë.

Nga çerdhja “Rinia” thonë se interesimi këtë vit është dukshëm më i vogël, duke patur parasysh gjendjen me korona virusin, por kjo është një mundësi e mirë që të respektohen masat për mbrojtje shëndetësore të cilët janë përcaktuar nga ana e qeverisë dhe ministrisë së shëndetësisë. Nga drejtoria e çerdhes “Rinia” në Tetovë, thonë se ë kujdesen që të mbahet distanca mes fëmijëve dhe edukatoreve, njëkohësisht një kujdes të veçantë ii kushtohet edhe higjienës së objektit dhe të vet fëmijëve. (koha.mk)