Në vigjilje të vitit të ri shkollor filloi sanimi i plotë i çatisë së shkollës fillore rajonale në fshatin Kollarë të Kërçovës, që është pjesë e shkollës fillore komunale “Rex Rushit Zajazi” nga fshati Zajaz. Krahas çatisë, edhe fasada e shkollës do të rinovohet tërësisht me izolim të përshtatshëm termik sipas standardeve bashkëkohore.
Këtyre ditëve është duke u punuar në sanimin e plotë të çatisë së shkollës rajonale në fshatin Kollarë si edhe në fasadën e re me izolim standard termik dhe modern. Ky investim është i komunës së Kërçovës e cila e bëri projektin dhe i siguroi gjysmën e mjeteve financiare prej buxhetit komunal ndërsa gjysmën tjetër e siguroi Drejtoria për zhvillim rajonal të Qeverisë. Ky projekt infrastrukturor i cili do të kushtojë afro një milion e tetëqind mijë denarë, pritet të jetë afat përfundimtar prej dy muajve”, thotë drejtuesi i sektorit për arsim në Komunën e Kërçovës, Emin Nasufi.
Ai shtoi se nëse fillon mësimi i nxënësve me praninë fizike në këtë shkollë, atëherë rreth 50 nxënës do të mësojnë në shkollën amë në fshatin Zajaz.
“Akoma nuk kemi përgjigje nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës për asnjë shkollë fillore nëse nxënësit do të mund ta ndjekin mësimin me praninë fizike, edhe pse përgatitjet në të gjitha shkollat janë nga fundi. U paraqitën të gjitha nëntë shkollat fillore prej komunës tonë që të mbajnë mësim me praninë fizike dhe e presim përgjigjen e MASH ditëve të ardhshme”, sqaroi Nasufi. /Koha/