Fahmi Osmani në Panelin e “Racio”-s: Si të ndryshohet klima ekonomike dhe tregu i punës në vendin tonë?!

Kryetari i Qendrës “Racio”, Fahmi Osmani, në fjalimin e tij para të pranishmëve në Panel Debatin, tha se kjo organizatë për më shumë se një dekade veprimtari është munduar që me projekte të jetë afër rinisë dhe për t’i nxitur ata në arsimim të vazhdueshëm dhe ngritje intelektuale.

Më poshtë ua sjellim deklaratën e plotë:

Qendra RACIO vite me radhë, që nga themelimi e deri më sot është përpjekur që të mbështesë të rinjtë e vendit tonë. Për më shumë se një dekadë veprimtari, ne si organizatë jemi munduar me zell dhe modesti, me projekte kreative të jemi afër rinisë, duke i nxitur ata në arsimim të vazhdueshëm dhe ngritje intelektuale, si dhe duke i motivuar vazhdimisht për pjesëmarrje aktive në proceset për avancimin e shoqërisë sonë. Duke i parë nga afër trendet e shoqërive të përparuara, kjo edhe falë projekteve të shumta ndërkombëtare në të cilat kemi qenë dhe jemi pjesë, ne si Qendër jemi përpjekur, që me dinamizëm t’i sjellim dhe t’i përshtatim këto trende edhe këtu tek ne. Padyshim që gjendja e përgjithshme shoqërore ndikon në zhvillimin e sipërmarrësisë dhe kultivimin e shpirtit inovator tek qytetarët. Shteti ka interes të madh që të nxisë qytetarin në këtë drejtim, pasi kjo është e vetmja mënyrë për ngritjen tonë si shoqëri dhe padyshim për ngritjen e standardit jetësor në vendin tonë.

Modernizimi të cilin synojmë të arrijmë, ka si parakusht zhvillimin ekonomik nëpërmjet krijimit të një klime të përshtatshme për bizneset, sipërmarrësit dhe nxitjen e tyre për implementimin e praktikave më bashkëkohore. Të gjitha këto kontribuojnë në hapjen e vendeve të reja të punës dhe hapjen e tregut. Politikat ekonomike për zhvillimin e bizneseve të mëdha, fushatat e ndryshme për motivimin e qytetarëve për sipërmarrësi dhe vetëpunësim, sigurimi i kredive të leverdishme nga ana e shtetit, krijimi i fondeve të ndryshme për mbështetjen e kategorive sociale në iniciativat e tyre sipërmarrëse, këto janë disa nga praktikat më të zakonshme për të ndryshuar sadopak klimën në ekonominë dhe tregun e vendit tonë. Në të njëjtën kohë duke e vënë theksin edhe tek arsimi dhe sistemi arsimor në vendin tonë, si gjenerator i kuadrove të reja të mirëfillta që nesër do të nxisin konkurrencën në tregun e punës. Qendra Racio gjithmonë ka qënë shumë e kujdesshme në respektimin e dinjitetit dhe integritetit të të rinjve duke u dhënë atyre forcë e mbështetje të pakushtëzuar.