Nxënësit e shkollës së Leshnicës së Poshtme të komunës së Zhelinës edhe këtë vit shkollor e kanë filluar në xhaminë e fshatit. Edhe pse disa herë është premtuar që kjo shkollë do të përfundojë së shpejti, nxënësit mësimin ende e zhvillojnë në xhami. Banorët rikujtojnë se premtimi ka qenë që brenda tre muajve nxënësit do të nisin mësimin në shkollën e re.
“Po në xhami akoma mësojnë, nuk e di unë akoma kur kanë filluar, nuk ka kushte në xhami, por sa të rregullohet shkolla dhe do të dalin atje.”
“Xhamia është xhami për t’u falur jo për të shkuar fëmijët në shkollë, ai i komunës së Zhelinës tha do e bëjmë ne për tre muaj, u bë një vit dhe nuk ka ardhur të shohë a është bërë diçka a jo në shkollë, vetëm me dallavere shkon puna jo të flasësh një fjalë por punën ta bësh.”
“Lere, shkollën është dashur ta lëshojnë, mësojnë te xhami, a nuk është fëmija për te xhamia, duhet të mësojnë tek shkolla, ajo është s’di çka të të them, ka një vit që ka filluar shkolla, vinë një orë dhe shkojnë kinse punojnë, është dashur të punohet moti dhe të jetë i përgatitur.”
Nga komuna e Zhelinës thonë se shkolla është në fazën përfundimtare dhe së shpejti nxënësit e Leshnicës së Poshtme do të kthen në objektin e shkollës së re.
“Faza e ndërtimit të shkollës ka shkuar në dy faza, pjesa e fundametit të shkollës që është përgatit me angazhim të komunës së Zhelinës dhe pjesa e konstruksionit është bërë nga ana e Ministrisë së Arsimit edhe Shkencës, ndërsa nga ana e ministrisë kemi kërkuar që të behët inventari i shkollës që të bëhet lëshimi shkollës, që të lëshohet në kohë, megjithatë ata janë vonuar me procedurat, kemi një garanci se do të fillojmë së shpejti, në shkollë të Leshnicës jemi në fazën përfundimtare të përmbylljes së të gjithë problematikave edhe punëve që janë në shkollë”, deklaroi Jasin Shaqiri, zëdhënës i komunës së Zhelinës.
“Gjendemi në brendësi të shkollës së Leshnicës edhe pse objekti është në fazën përfundimtare ky objekt akoma nuk është gati të pranoj nxënësit e Leshnicës së Poshtme”, raporton Senat Zylbehari, gazetar TV21.
Nxënësit e Leshnicës së Poshtme më herët mënonin në një barakë të ndërtuar në vitet e ’60-ta, ndërsa pasi komuna dhe ministria premtuan se objektin e ri do të bëhet brenda verës, nxënësit e kësaj shkolle një vit shkollor e ndoqën në xhaminë e fshatit, me klasa të improvizuara në hapësira shumë të vogla. /Tv21