Shkolla fillore “Petar Zdravkovski Penko” në komunën e Butelit u pajis me 400 pika dezinfektimi dhe 400 termometra pa kontakt – të dhuruara nga Agjencia turke për bashkëpunim dhe koordinim – TIKA, e cila do të dhurojë edhe për shkollat e tjera në vend në kuadër të projektit të ri “Arsim i shëndetshëm dhe i qëndrueshëm”.
Ambasadori turk Hasan Mehmet Sekizqok tha në ceremoninë e dhurimit se përmes këtij projekti TIKA dhuron për kushte higjienike dhe të sigurta në shkolla, duke potencuar se Turqia është solidare në luftimin e pandemisë dhe që nga fillimi i saj thekson bashkëpunimin ndërkombëtar.
“TIKA është e pranishme me shumë projekte, me këtë projekt shpërndan produkte higjienike. Ne kemi dërguar pajisje mbrojtëse në pjesë të ndryshme të botës, përfshirë Maqedoninë e Veriut, vendin me të cilin kemi lidhje historike”, tha ambasadori turk në vend, duke kujtuar rëndësinë e zbatimit të masave për të mbrojtur kundër virusit – maskë mbrojtëse, higjienën dhe distancën fizike.
Ministrja e Arsimit dhe Shkencës Mila Carovska falënderoi për donacionin, duke theksuar se kjo do të ndihmojë në ruajtjen e situatës epidemiologjike dhe zbatimin e protokolleve në shkolla.
Për shkollën fillore “Petar Zdravkovski Penko” në vendbanimin Shkupi Veri, të cilin e vizitoi sot, tha se janë siguruar të gjitha kushtet teknike, si për mësimdhënie me prani fizike ashtu edhe për mësimdhënie onlajn.
“Është e rëndësishme në këtë periudhë që mësimdhënësit, drejtorët dhe kryetarët e komunave të jenë në lartësinë e detyrës sepse kjo sfidë është e madhe për vendin tonë, si dhe në botë. Falënderim të madh për Republikën e Turqisë për donacionin, i cili ndihmon shkollat të mbajnë dhe zbatojnë protokollet që jepen si drejtim shëndetësor për të ruajtur situatën epidemiologjike në këtë nivel që kemi sot. Shpresoj për vazhdimësi të bashkëpunimit i cili është akoma i shkëlqyeshëm”, tha Carovska.
Kryetari i Komunës së Butelit Velimir Smilevski dhe drejtori i shkollës gjithashtu falënderuan për donacionin dhe presin donacione të tilla nga organizatat joqeveritare edhe në të ardhmen. /MIA/