Disa komuna në Maqedoni i bashkohen nismës për t’i ndihmuar filloristët, dhurojnë çanta dhe mjete shkollore pa pagesë

Pothuajse të gjitha komunat e Shkupit dhe jo vetëm i janë bashkuar iniciativës për të dhuruar komplete falas për çdo nxënës të klasës së parë.

Dikush ofron çanta shkollor e dikush shuma simbolike në të holla si motivim për filloristët.

Kisella Voda është komuna e parë e Shkupit që i bashkohet këtij aksioni dhe sot do të shpërndajë çantat e shpinës për filloristë.

Çanta shpine me mjete shkollore pa pagesë do të ndahen edhe për nxënësit e klasës së parë në komunën e Butelit, ndërsa Gazi Baba jep nga 3000 denarë.

Në Gjorçe Petrov, kryetari përveç çanta shpine për të gjithë 430 nxënësit e klasës së parë ofron mëngjes falas.

Në Aerodrom ndahen 3.500 denarë për të gjithë nxënësit e klasës së parë, e përveç kësaj komuna ofron edhe mësim noti falas.

Shembullin e njejtë e kanë ndjekur edhe komunat si: Demir Hisari, Makedonski Brod, Koçani, Shën Nikolla, Strumica, Gostivari etj.

Mjetet shkollore këtë vit janë më të shtrenjta për rreth 60 për qind më shumë se vitin e kaluar.

Pas llogaritjes së njohësve të ekonomisë, për përgatitjen e një nxënësi të klasës së parë me materialin bazë mësimor, nevojiten rreth 6.000 denarë për furnizim me fletore, lapsa, ngjyra, stilolapsa, gërshërë, çantë shpine dhe materiale të tjera.

Për shkak të rritjes së çmimit të letrës, më së shumti është rritur çmimi i fletoreve, nëse deri vitin e kaluar një fletore mund të blihej me çmim prej 10 denarë, tani është dyfish apo tre herë më i shtrenjtë.

Ndërkohë, theksojmë se shumë nxënës janë ende në pritje të dëftesave për vitin e kaluar shkollor.