Nga gjithsej 30 mijë mësues dhe profesorë, diku 10 mijë prej tyre janë vaksinuar kundër Covid-19. Megjithatë, jo të gjithë mësuesit duan të marrin vaksinën anticovid, e këtë e pohon edhe kryetari i Sindikatës për Arsim dhe Shkencë, Jakim Nedellkov. Thekson se vaksinimi nuk është dhe nuk guxon të jetë kusht për fillim të vitit shkollor me prani fizike.
“Mendoj se nuk mundet, përsëri do të them sepse nuk ekziston dispozitë ligjore që patjetër gjithkush duhet të vaksinohet që të fillojë me punë. Nëse e mbani mend, para disa viteve kishim probleme me nxënësit të cilët duhej të regjistroheshin në klasë të parë e të cilët nuk ishin të vaksinuar për sëmundje të fëmijëve, nuk i pranuan në shkolla, por ajo atëherë ishte e rregulluar me ligj. Në këtë rast të punësuarit ose punëtorët nuk kanë dispozitë të tillë ligjore dhe vlerësoj se nuk guxon që të jetë kusht për fillim të vitit shkollor”, deklaroi Nedellkov.
Ministria e Arsimit thotë se për momentin po punon në disa variante se si nga shtatori shkollat të punojnë pa pengesa edhe gjatë pandemisë.
“Sistemi arsimor në mënyrë serioze po përgatitet për vitin e ri shkollor me disa skenarë për zhvillim të mësimit papengesa edhe gjatë kohës së pandemisë, e për këtë kur të merret vendimi me kohë do të informohet edhe opinioni publik”, thonë nga MASH-i.
Ministri Filipçe thotë se deri tani janë vaksinuar vetëm mësimdhënësit që kanë punuar me fëmijët me prani fizike, ndërsa tani, të gjithë mësuesit që duan të vaksinohen janë në listën me prioritet.
“Të tjerëve nuk ju dhamë prioritet për shkak se kanë punuar prej në shtëpi. Tani me sistemin e njëjtë, të organizuar do të vaksinohen edhe të tjerët. Janë grupi më me prioritet që të mund shkollat të punojnë me të gjitha paralelet me prani fizike që nga 1 shtatori”, deklaroi Filipçe.
Edhe Sindikata e Arsimit vlerëson se Ministria e Shëndetësisë duhet t’i vendose në listën e prioriteteve të gjithë mësimdhënësit që duan të vaksinohen, me qëllim që gjatë periudhës se verës të gjithë të vaksinohen dhe viti shkollor të filloj në shkolla.
Burimi: TV21