Dëftesat për përfundimin e vitit shkollor është e mundur që sërish të mos arrijnë në kohë edhe këtë vit. Tenderi për dëftesat aktualisht është në procedurë ankimimi dhe Komisioni i ankesave të prokurimit publik do të vendosë më 17 maj nëse tenderi do të përsëritet ose cila kompani është ofertuesi më i mirë.
Një muaj nga përfundimi i vitit shkollor, është e paqartë se kur nxënësit do t’i marrin dëftesat. Vendimin për zgjedhjen e kompanisë që do t’i printojë ato duhet ta merr Komisioni për ankesa për prokurimit publik, sepse tenderi i zhvilluar nga Byroja për Zhvillimin e Arsimit është në procedurë ankimore. Seanca e komisionit pritet të mbahet më 17 maj, thanë nga Byroja për REL, përcjell Telegrafi Maqedoni.
Në thirrjen e lëshuar nga Byroja e Zhvillimit të Arsimit në muajin mars u paraqitën katër kompani, ndërsa u zgjodh “Arbëria Design”, e cila deri më tani ishte e ngarkuar me shtypjen e dëftesave dhe një pjese të teksteve shkollore, si dhe organizimin e festimeve për 20 dhe 20 21 vjetorin e Marrëveshjes Kornizë, si dhe vënien e fundit të gurthemelit të Korridorit 8.
Sivjet, përveç Arberia Desing, në tender për dëftesat kanë aplikuar edhe shtypshkronjat “Kiro Dandaro” nga Manastiri, “Europa 92” nga Koçani dhe “Branko Gapo” nga Shkupi.
Sipas të dhënave të Byrosë së shpalljeve publike, në muajin prill “Kiro Dandaro” dhe “Europe 92” u ankuan se ishin diskriminuar dhe se kompania e përzgjedhur “Arberia Desing” nuk i plotësonte kushtet, pasi ofronte materiale me gabime leksikore. Pas këtyre ankesave, Komisioni shtetëror për prokurim publik ka konstatuar se në zgjedhjen e kompanisë Arbëria Desing si ofertë më të favorshme, Byroja për Zhvillimin e Arsimit ka shkelur ligjin dhe ka anuluar vendimin që ajo kompani të fitojë tenderin.
Pas rishqyrtimit të ofertave, sipas vendimit të fundit të publikuar nga Byroja e prokurimit publik, tenderin e ka fituar shtypshkronja e Manastirit “Kiro Dandaro”. Ky vendim është marrë më 27 prill, pasi janë pranuar dy ankesat e kompanive që kanë konkurruar në tender.
Por, nga Byroja për Zhvillimin e Arsimit (ZZR) thonë se kanë ankimuar edhe këtë vendim.
“Pritet që seanca lidhur me ankesën të mbahet më 17.05.2023”, thuhet në përgjigjen e Byrosë për Zhvillimin e Arsimit.
Se sa para do të kushtojnë dëftesat nuk është bërë e ditur nga Byroja e prokurimit publik.
Kësaj pyetjeje nuk iu përgjigj Byroja për Zhvillimin e Arsimit, e cila lidh Marrëveshjen e Prokurimit Publik.
Sipas të dhënave të Byrosë së Prokurimit Publik, nga viti 2013 deri në vitin 2019, kontratat për printimin e dëftesave janë lidhur jo më vonë se data 12 maj, por në vitet në vijim është bërë praktikë që kjo datë të shtyhet me disa javë.
Vitin e kaluar shumica e nxënësve të arsimit fillor dhe të mesëm kanë marrë dëftesat më 31 gusht.