Grupi punues për rishikimin e Rregullores për normat dhe standardet e të ushqyerit në çerdhe ka mbajtur sot takim pune në Ministrinë e Punës dhe Politikës Sociale. Në takimin e hapur nga ministrja e Punës dhe Politikës Sociale, Jagoda Shahpaska, u diskutuan ndryshimet e propozuara në menynë e cerdheve, njofton Portalb.mk.
Anëtarët e grupit të punës u shprehën se është e rëndësishme që vaktet të kenë vlera energjike dhe ushqyese të përshtatshme për moshën dhe nevojat e fëmijëve. Në këtë drejtim, duke iu referuar analizave të ushqimit dhe vlerave ushqyese, ata vlerësojnë se ndryshimet në të ushqyerit në çerdhe janë të nevojshme.
Grupi i punës rekomandon rritjen e marrjes së frutave dhe perimeve të freskëta, por edhe ushqimet e konservuara të zëvendësohen me të ngrira.
“Të nxirren nga përdorimi produktet e konservuara nga mishi dhe pashtetat sintetike gjithashtu duhet të mos përdoren. Gjithashtu të hiqen nga përdorimi edhe ëmbëltuesit artificialë të shtuar, keçapi dhe majonezi dhe në vend të margarinës duhet të përdoret gjalpi dhe vaji i ftohtë i shtrydhur”, thonë nga Ministria.
Ministrja Shahpaska theksoi se ushqimi i fëmijëve luan një rol kyç në shëndetin e tyre
“Shumëllojshmëria e ushqimit dhe marrja e vakteve të shëndetshme te fëmijët në arsimin parashkollor është vendimtare për zhvillimin e mirëfilltë të fëmijës, sepse përmes saj marrin energjinë që u nevojitet për mësim dhe lojë, karakteristikë për moshën e tyre. Prej është nisur edhe iniciativa e Ministrisë për rishikimin e plotë të Rregullores për ushqimin e fëmijëve në çerdhe”, tha ministrja Shahpaska.
Për të arritur qëllimin e një menyje të shëndetshme në çerdhe, Grupi Punues do të vazhdojë punën e tij derisa të finalizohen ndryshimet që do të bëhen dhe të përgatitet një Rregullore e re për të ushqyerit në çerdhe.