“Çashkë”, protestuesit kërkojnë dislokimin e paraleles shqipe

Edhe gjatë ditës së sotme Çashka mbetet e bllokuar. Bllokimi i hyrjes dhe daljes së Çashkës nga protestuesit, vazhdon të mbajë peng funksionimin e shkollës fillore “Todor Janev” ku mësojnë mbi 150 nxënës shqiptarë dhe maqedonas të kësaj komune.

Protestuesit kërkojnë dislokimin e paraleles shqipe në një fshat tjetër, dorëheqjen e drejtoreshës dhe kthimin e kompetencave të arsimit kryetarit të komunës së Çashkë.

Që nga fillimi i protestës ndodhen edhe disa incidente nga ana e protestuesve dhe sipas drejtorit të Inspektoratit Shtetëror të Arsimit Halit Ferati ishte sulmuar edhe një inspektor i cili kryente punën në terren. Por sipas MPB-së sulmi ndaj inspektorit nuk është denoncuar në Policinë e Çashkës, por atë të Velesit.

“Me datë 15.01.2024, SPB Veles ka pranuar një raport me shkrim nga Inspektorati Shtetëror i Arsimit se më 25.12.2023, një grup prindërish duke protestuar para SHF “Todor Janev” e kanë penguar punonjësin e tyre që të kryej inspektim të jashtëzakonshëm në shkollë. Personi për të cilin ankuesi ka treguar në raportin me shkrim se e ka penguar të hyjë në shkollë është thirrur në policinë e Çashkës. Njoftim për ngjarjen i është dërguar Inspektoratit Shtetëror të Arsimit dhe Prokurorisë Themelore Publike Veles me dokumentacion të plotë”, thonë nga MPB.

Nga Ministria e Punëve të Brendshme shtojnë se sa i përket sulmit fizik ndaj drejtoreshës së SHF “Todor Janev” në Çashkë njësiti i Policisë Çashkë, ka thirrur persona, është bërë kallëzim përkatës dhe është parashtruar kërkesë për ngritjen e procedurës së kundërvajtjes. /Alsat.mk