Nga viti i ardhshëm vogëlushët e të gjitha trojeve shqipfolëse në duart e tyre do të kenë Abetaren e Përbashkët Unike.
Këtë sot e ka bërë të ditur ministrja e Arsimit dhe e Sportit në Shqipëri, Evis Kushi.
“Abetarja e përbashkët unike është një nga krenaritë e MAS-it dhe një punë e bërë me shumë dashuri me Ministrinë e Arsimit të Kosovës”, tha Kushi në konferencën për shtyp me gazetarët.
Kushi më tutje sqaroi se vogëlushët e klasave të para do të kenë një tekst të ri unik, që nënkupton se shkolla të ndryshme nuk kanë tekste të ndryshme, por kudo kemi një tekst të unifikuar që është përshtatur me kushte të reja, ka kurikulën e re dhe përmbajtje digjitale.
Ministrja Kushi bëri të ditur se tashmë kanë rënë dakord edhe me Maqedoninë e Veriut sepse ata që këtë vit e kanë përfshirë si tekst plotësues, por nga viti i ardhshëm do ta kenë tekst unik në të gjitha shkollat shqipe.
Po ashtu, Kushi informoi se bashkë me ministren e Arsimit të Kosovës po bashkëpunojmë që abetarja të jetë edhe në Malin e Zi dhe në Luginën e Preshevës dhe pse jo edhe në diasporë, kudo ku ka vogëlushë shqiptarë, ta mësojnë gjuhën shqipe me të njëjtin tekst. /Trt Albania/