Provimi i maturës shtetërore për maturantët rrezikon të mbahet më 27 maj. Këto janë parashikimet e Organizatës Sindikale pranë Qendrës për Provim Shtetëror pasi që shumica e punëtorëve janë në grevë dhe nuk mund të arrihen të gjitha përgatitjet. Greva mbahet për shkak kërkesave të vazhdueshme për rritje të pagave ndërsa ministria e financave u ka ofruar një rritje prej vetëm 1000 denarëve.
Emilija Boshkovska nga organizata sindikale pranë Qendrës për Provim Shtetëror, thotë se kjo ofertë për ta është e papranueshme.
“Deri sot kishim dy mbledhje të cilat përfunduan pa sukses. Mbledhja e dytë ishte të enjten në Ministrinë e Arsimit në prezencë të ministrit të arsimit dhe përfaqësues të ministrisë së financave. Në atë mbledhje asgjë nuk fituam. Më konkretisht morëm disa numra, rritje prej 1000 denarëve. Ky ishte propozimi i ministrisë së financave, linjat e tyre të kuqe janë deri këtu”, tha Emilija Boshkovska – Kryetare e Organizatës sindikale pranë QPSH.
Për këtë arsye siç njofton Boshkovska, greva do të vazhdojë ndërsa me numrin e punëtorëve që kanë në dispozicion, mbajtja e maturës shtetërore më 27 maj është pothuajse e pamundur.
“Për këtë arsye, përshkak se skaduan ato afate të cilat ne i kishim paraparë ne si punëtorë, sa kohë na duhet me tërë atë pauzë, t’i arrijmë proceset veçanërisht për maturën shtetërore. Përllogaritjet janë se është pothuajse e pamundur të arrihen ato data të cilat janë vendosur në kalendar, gjegjësisht 27 maji është shumë vështirë i arritshëm, të mos them fare i arritshëm. Dhe për këtë arsye kërkojmë ndryshim të kalendarit në pjesën e dhënies së provimit të maturës dhe ndryshim të datave”, shtoi Boshkovska.
Ndërkohë ministri i arsimit Jeton Shaqiri të premten u dërgoi apel qendrës për provim shtetëror që të vazhdojnë me kërkesat e tyre por gjithashtu assesi të mos e vënë në rrezik mbajtjen e maturës shtetërore.
“Matura Shtetërore do të mbahet dhe patjetër duhet të mbahet. Institucionet duke përfshirë këtu Qendrën për Provim Shtetëror, MASH dhe institucionet tjera, duhet të japim maksimumin që të organizohet matura shtetërore. Unë gjithnjë edhe në situata të mëparshme kur kemi pasur greva, kam apeluar të mos shfrytëzohet e ardhmja e maturantëve për shkak përfitimeve të tyre. Unë dje mbajta mbledhje me përfaqësues nga Ministria e Financave, përfaqësues të atyre që mbajnë greva, dhe me drejtoreshën e QMSH. Propozimi që është dhënë nga ana e Ministrisë së Financave është harmonizim, e ky harmonizim do të thotë rritje”, tha Jeton Shaqiri, Ministër i Arsimit dhe Shkencës.
Përndryshe greva e qendrës për provim shtetëror tanimë po hynë në javën e tretë. Greva e tyre filloi që më 24 prill duke u ankuar se paga e disa punëtorëve është madje 20 mijë denarë. Boshkovska njoftoi se deri tani nuk janë dorëzuar as pyetjet e provimit e as që janë shtypur materialet e nevojshme. Nëse prolongimi zgjatë më tepër seç duhet, nxënësit të cilët duan të studiojnë jashtë shtetit, mund të rrezikojnë regjistrimin./TV21