Numri i nxënësve të regjistruar në shkollat fillore të Tetovës ka rënë për 100, ndërsa në gjimnazin e “7 marsi” janë regjistruar vetëm 24 nxënës, por nga sektori për veprimtari komunale qetësojnë për këto numra, duke thënë se ka ende afate për regjistrim.
“Nuk është ndonjë diferencë drastike në numrin e nxënësve faktikisht në regjistrimet që kemi dhe që kemi pasur deri në fund të muajt maj behët fjalë për një diferencë prej 100 nxënësve shqiptarë, maqedonas edhe turq, mirëpo besoj se ky numër do të jetë i njëjtë kur do të fillojë viti shkollor 2022/2023 në shtator”, tha Nazmi Dauti, Sektori Komunal për Arsim.
Në shkollat e mesme në Tetovë nga 1550 nxënës sa kanë qenë një vit më parë, deri më tani janë regjistruar vetëm 845 nxënës. Nazmi Dauti thotë se kjo ka ardhur pasi që nxënësit që nuk i kanë plotësuar kushtet për regjistrim kanë aplikuar dhe nuk janë pranuar në shkollën e mesme të mjekësisë “Nikolla Shtejn” dhe gjimnazin “Kiril Pejçinoviq”. Ndërsa në gjimnazin “7 marsi” këtë vit deri më tani janë regjistruar vetëm 24 nxënës.
“Disa nxënës që edhe gjatë afatit të parë dhe të dytë nuk i kanë plotësuar kushtet apo nuk kanë arritur numrin e caktuar të pikëve për t’u pranuar në shkollën e mesme medicinale apo gjimnazin “Kiril Pejçinoviq” po të njëjtit kanë aplikuar në gjimnaz edhe në medicinë, edhe pse sistemi ua lejon atë nuk mund t’u ndalohet aplikimi mirëpo ata nxënës që nuk do t’i plotësojnë kushtet për në shkollën e mesme medicinave dhe me mbushjen e numrit të nxënësve në gjimnazin “Kiril Pejçinoviq” të njëjtit do të duhet të drejtohen në gjimnazin “7 marsi” dhe do të regjistrohen aty”, deklaroi Nazmi Dauti, Sektori Komunal për Arsim.
Nëse rënia e numrit të nxënësve është për shkak të emigrimit të qytetarëve, rënies së natalitetit, kjo mbetet të shihet deri në shtator kur edhe zyrtarisht në Maqedoni fillon procesi arsimor në shkollat fillore dhe të mesme. /Tv21/