Projekti “Mëso zgjuar, puno profesionalisht” është pjesë e sistemit arsimor për të dytin vit. Ky projekt synon promovimin e arsimit të mesëm profesional, forcimin e arsimit dual, prodhimin e profileve profesionale sipas nevojave të tregut të punës dhe rritjen e punësimit të të rinjve. Në shkollat e mesme profesionale ekzistojnë të ashtuquajturat klasa duale, përkatësisht mundësi që nxënësit të shkojnë në punë praktike në kompani, që pas përfundimit të shkollimit të aftësohen për punë.
Nxënësit e drejtimit për makineri, në shkollën e mesme profesionale “Vllado Tasevski”, për të tretin vit me radhë shkojnë në praktikë në “Gereshajmer”, kompani gjermane për prodhimin e plastikës mjekësore. Drejtori Aleksandar Sibinovski thotë se nxënësit janë të kënaqur dhe të suksesshëm.
“Paralelja duale u formua nën patronazhin Odës Ekonomike Gjermane. Tani, kjo është gjenerata e tretë që mëson në këtë paralele. Nxënësit e bëjnë praktikën në kompani dhe pranojnë pagesë të caktuar për atë, nga 3.000 denarë në muaj. Kanë transport për në punë dhe prapa, ndërsa atje shkojnë një ditë në javë, nga ora 8 e mëngjesit deri në orën 14. Këto janë reparte të veçanta për nxënësit, në të cilat ata trajnohen dhe kanë mjedis të vërtetë për punë. Shikojnë dhe mësojnë se si punojnë punëtorët”, tha Sibinovski.
Drejtori thotë se për atë klasë ka interes. Pasi të kryejnë maturën, nxënësit marrin një certifikatë gjermane, me të cilën në Gjermani mund të punojnë në çdo aktivitet të ngjashëm me atë punë. Pas përfundimit të shkollimit, nxënësit kanë më tepër opsione, të punojnë në kompaninë ku e kanë pas praktikën, por edhe për të studiuar me bursë që do ta marrin nga kompania.
Siç sqarojnë nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës, projekti “Mëso zgjuar, puno profesionalisht” zbatohet për të dytin vit radhazi, duke përfshirë të gjitha rrethet në vendin tonë dhe me pjesëmarrjen e pushtetit vendor, shkollave të mesme profesionale dhe komunitetit të biznesit, me të cilin bashkërisht hartohen nevojat për personel përkatës dhe në bazë të asaj bëhen kurrikula të përshtatshme.
“Si rezultat i dialogut të suksesshëm që MASH e zhvilloi në nivel lokal gjatë vitit të kaluar, në vitin akademik 2021/22 numri i paraleleve duale (të dyfishta) është rritur nga 11 ekzistuese në gjithsej 97 dhe në to janë regjistruar 1400 nxënës, ose në arsimin e mesëm teknik janë regjistruar 6% më shumë nxënës se vitin e kaluar shkollor. Në këtë proces u përfshinë më shumë se 200 kompani, të cilat pranuan nxënës për trajnime praktike”, thanë ata.
Këtë vit, dy herë më shumë kompani janë përfshirë në proces. Para fillimit të dialogut, MASH realizoi një pyetësor me kompanitë lidhur me interesimin e tyre për të marrë pjesë në krijimin e dy paraleleve për vitin akademik 2022/23, ndërsa pyetësorit iu përgjigjën rreth 400 kompani dhe rreth 90 % e tyre janë të gatshme të pranojnë nxënës në punë praktike, në proceset e tyre organizative dhe prodhuese, duke u përfshirë drejtpërdrejt në krijimin e një arsimi profesional më cilësor, nga i cili do të rezultojë staf i mirë-trajnuar, i cili do të jetë i gatshëm të fillojë me punë menjëherë pas diplomimit, si dhe do të kenë bazë të mirë për zhvillim akademik.
Dialogu “Mëso zgjuar, puno profesionalisht” zbatohet në kuadër të projektit “Edukimi për punësim në Maqedoninë e Veriut – E4E”, i cili financohet nga Ambasada Zvicerane.
“Ne i treguam përpjekjet tona për të krijuar një arsim më të mirë profesional, por edhe për të tërhequr nxënësit drejt formimit profesional duke i ndryshuar politikat e bursave. Këtë vit shkollor, nxënësit e regjistruar në paralelet duale në shkollat e mesme në mbarë vendin marrin bursë mujore prej 3.500 denarë, që është edhe një nxitje për të arritur rezultate më të mira, por edhe lehtësim financiar në procesin arsimor. Këto bursa do të jenë në dispozicion edhe në vitin e ri shkollor, e për krijimin e politikave për të vazhdon regjistrimi dhe përmbledhje të rezultateve, sugjerimeve dhe rekomandimeve nga të gjitha komunat, shkollat dhe kompanitë”, njoftoi MASH. /Portalb/