“FLAS NË GJUHËN E SHOKUT TIM”/ Projekti do të përfshijë rreth 600 nxënës dhe mësues

Në 23 shkolla të mesme të Qytetit të Shkupit këto ditë filloi realizimi i ciklit të katërt të kurseve tremujore falas onlajn për mësimin e gjuhës maqedonase, shqipe dhe turke, të dedikuara për nxënësit dhe mësuesit.

Mësimi është në kuadër të projektit “Flas në gjuhën e shokut tim” të parashikuar në Strategjinë e Qytetit të Shkupit për integrim ndëretnik dhe përfshirje qytetare dhe në Programin e aktiviteteve të Qytetit të Shkupit në fushën e arsimit për vitin 2022.

Me këtë aktivitetet do të përfshihen gjithsej 594 mësues dhe nxënës, një pjesë e tyre do të ndjekin nivelin fillestar, dhe një pjesë tjetër nivelin e zgjatur.

“Në këto orë të rinjtë do të kenë mundësi të fitojnë njohuri bazë për gjuhën që flasin shokët e klasës, gjë që do të kontribuojë në socializimin më të lehtë gjuhësor të tyre. Projekti synon stimulimin e bashkësive shkollore për të ndërtuar dhe zhvilluar ndërveprime pozitive ndërmjet nxënësve dhe mësuesve nga bashkësi të ndryshme etnike”, kumtoi Qyteti i Shkupit.

Orët e gjuhës mbahen nga mësues të punësuar në shkollat e mesme dhe të njëjtët mbështeten nga ana logjistike dhe financiare nga Qyteti i Shkupit.

Në përputhje me interesimin e treguar, 234 nxënës dhe 3 mësues do të ndjekin nivelin fillestar për mësimin e gjuhës maqedonase, 71 nxënës dhe 17 mësues do të ndjekin nivelin fillestar për mësimin e gjuhës shqipe, përderisa 12 nxënës dhe 27 mësues do të ndjekin nivelin e zgjatur, 172 nxënës dhe 36 mësues do të ndjekin nivelin fillestar për mësimin e gjuhës turke, përderisa 11 nxënës dhe 11 mësues do të ndjekin nivelin e zgjatur.