Sot pas mbledhjes së Komisionit për Sëmundje Infektive u njoftua se është rritur numri i infektimeve me Covid-19 te fëmijët që njëherit janë edhe nxënës të shkollave fillore. Sot biseduam me disa nga drejtorët e shkollave fillore të Tetovës dhe nga informatat që morëm në këta shkolla ka nxënës dhe arsimtarë të cilët janë pozitiv me Covid-19, drejtorët thonë se nga momenti që paraqiten këto raste ata shkojnë në izolim dhe mësimi vijon online. Ministria e Arsimit dhe Shkencës dhe Shtëpia e Shëndetit Tetovë nuk përgjigjen në pyetjet e Portalb.mk për gjendjen me Covid-19 në shkollat fillore të qytetit të Tetovës, shkruan Portalb.mk.
Dr. Aleksandar Petliçkovski pas mbledhjes së Komisionit për sëmundje infektive tha se ka përmirësim të situatës epidemiologjike, por sipas tij kjo nuk domethënë se gjendja epidemiologjike është e mirë, veçanërisht te grupmoshat nga 6 deri në 14 vjeç.
“Shohim një rritje të numrit të rasteve të reja te kjo grupmoshë dhe ato janë nxënës të shkollave që vijojnë mësimet me prezencë fizike. Për momentin nuk ka vend për shqetësim”, tha Petliçkovski.
Ai sqaroi se rritja nga java e kaluar edhe pse është 40 për qind, do të thotë se nëse javën e kaluar ishin 200, tani janë 320, pra 120 fëmijë më shumë, në 1,000 shkolla. Ndërkaq theksoi se viti shkollor duhet të vazhdojë me prezencë fizike dhe të respektohen protokollet.
Për të parë se si është situata të shkollat fillore të Tetovës, kontaktuam me të gjithë drejtorët e tyre por jo nga të gjithë morëm përgjigje.
Dje në redaksinë tonë arritën ankesa se në shkollën fillore “Naim Frashëri” në Tetovës ka arsimtarë të cilët janë pozitiv dhe mbajnë mësim me prezencë fizike. Sot vizituam këtë shkollë, biseduam me drejtorin dhe ai hodhi poshtë këtë, duke na informuar se nuk ka diçka të tillë dhe se për momentin janë vetëm dy arsimtarë të cilët janë me Covid-19 dhe janë në izolim.
“Dje janë lajmëruar dy arsimtarë se janë me Covid dhe ato nuk vazhdojnë procesin mësimor do të thotë ato mjekohen, ata e mbajnë mësimin online. Nuk kanë pasur kontakt me të tjerët. Asnjë arsimtar deri tani që ka qenë me Covid nuk ka qenë me prezencë fizike. Çdo mëngjes te ne matet temperatura deh nëse vërehet se ka temperaturë merren masa të nevojshme. Kemi një numër te vogël te nxënësve qe janë me grip sezonal. Sot nuk kemi raste të arsimtarëve që janë paraqitur me Covid-19”, tha Xhelal Alili, drejtor i “Naim Frashërit”.
Biseduam edhe me disa nxënës, prind dhe arsimtarë nga kjo shkollë por ata thonë se në këtë shkollë nuk ka persona të cilët janë me Covid dhe shkojnë në shkollë me prezencë.
Të dy mësimdhënësit nga kjo shkollë të infektuar me Covid-19për Portalb.mk thanë se janë në izolim dhe nuk kanë qenë në shkollë dhe ndërkaq mësimin e realizojnë online përmes platformës Teams.
Në shkollën fillore “Migjeni” ka tre arsimtarë dhe dy nxënës me Covid-19.
“Momentalisht ne kemi 3 arsimtar me Covid, janë të paraqitur rastet në ministri raportin që e dërgojmë çdo ditë sa nxënës sa arsimtarë janë të infektuar, ato arsimtarë mbajnë mësim online. Kemi dy nxënës, komplet klasa është në izolim, ato nxënës mbajnë mësim online. Kemi mare masa që kur kanë simptoma mos të vijnë në shkollë, mësimi vazhdon rregullisht”, tha drejtori Riza Etemi.
Në shkollën fillore “Kikish” siç na tha drejtoresha e kësaj shkolle, Dijana Cenovska për momentin ka vetëm dy nxënës që janë pozitiv me Covid-19 dhe janë në izolim, ndërkaq nga stafi i mësimdhënësve nga dje në izolim është vetëm një mësimdhënës dhe është në pritje të rezultatit të testimit, ndërkaq theksoi se mësimi mund të mbahet online.
Në shkollën Goce Dellçev mësojmë se ka raste pozitive me Covid-19 mirëpo drejtoresha e kësaj shkolle tha se për sot nuk mund të na jep informata apo numra konkret pasi i ka mbaruar orari i punës dhe për të njëjtën tha se nesër në mëngjes mund të na jep të dhëna.
Ndërkaq për sa i përket shkollave “Istikball”, “Kirili dhe Metodi” dhe “Liria” deri në këto momente nuk kemi përgjigje.
Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASH) dhe Shtëpia e Shëndetit Tetovë, deri në këtë moment nuk u përgjigjën në pyetjet tona për situatën me Covid-19 në shkollat fillore të Tetovës.