Avokati i Popullit në Maqedoninë e Veriut pas shpalljes në mediume të storjes për nxënësen nga Gostivari, e cila për shkak të gjendjes së saj (nxënëse me aftësi të kufizuara), nuk është pranuar nga ana e prindërve të nxënësve nga klasa në të cilën është regjistruar, formoi lëndë sipas iniciativës së tij dhe dërgoi ekip në shkollë me qëllim që ta analizojë rastin në fjalë.
Në njoftimin e Avokatit të Popullit thuhet se “storja e publikuar tregon papjekuri të madhe të shoqërisë, e cila as prej së largu nuk është e gatshme në praktikë ta implementojë rregullativën vendore dhe ndërkombëtare e cila ka të bëjë me inkluzivitetin e këtyre personave në jetën e përditshme”.
“Është e palejueshme që këta nxënës të jenë viktima të pa gatishmërisë të individëve t’i pranojnë diversitetet dhe të njëjtëve t’u vështirësohet qasja deri në procesin arsimor, i cili me Kushtetutë dhe me ligj u është garantuar të gjithëve në mënyrë të barabartë, pa elemente të çfarëdo qoftë diskriminimi. Për më tepër, gjatë viteve të kaluara të gjithë faktorët në shoqëri të cilët merren me këtë problematikë, përfshirë edhe institucionin Avokat i Popullit dhanë kontribut të madh në reformat e procesit arsimor, pikërisht në pjesën e cila ka të bëjë me inkluzivitetin e nxënësve, për shkak se diversiteti nuk guxon të kuptohet si dënim, ashtu siç është bërë në rastin konkret”.
“Avokati i Popullit i inkurajon prindërit që për rastet e këtilla të mos heshtin, por të drejtohen deri te institucionet, me qëllim të mbrojtjes në kohë të të drejtave të fëmijëve të tyre të garantuara me ligje. Gjithashtu, konsideron se është mirë që mediat shfaqin senzibilitet dhe i publikojnë storjet, por e vën në pah faktin se gjatë publikimit të këtyre storjeve doemos maksimalisht duhet të mbahet llogari për mbrojtjen e interesit më të mirë të fëmijës dhe të shmangin kuadrot eksplicite ose fotografi të fëmijëve”, thuhet në njoftimin e Avokatit të Popullit.