Organizata think-tank “Analitika” ka realizuar një hulumtim kuantitativ me nxënës të tri shkollave të mesme të qytetit të Shkupit (“Zdravko Cvetkovski”, “Zef Lush Marku” dhe “Shaip Jusuf”) në mostër përfaqësuese prej 305 nxënësve me përbërje të përzier etnike. Gjetjet japin një pamje zhgënjyese se sa dhunë ndodh dhe në çfarë forme, vlerëson kjo OJQ. Madje 62,7% e nxënësve konfirmojnë se dhuna është shpesh ose vazhdimisht e pranishme në mjedisin shkollor, transmeton Portalb.mk.
Shumica e tyre e njohin dhunën fizike e cila është më e dukshme, më tej sipas nxënësve me përqindje të lartë është e pranishme dhuna psikologjike dhe kibernetike. Përqindje e lartë prej 70% e nxënësve kanë qenë dëshmitarë të sjelljeve të dhunshme në shkollat e tyre, por nuk i raportojnë ato për shumë arsye, duke përfshirë atë se nuk e dinë ku të raportojnë ose si të raportojnë, ndërsa të mbeten anonimë.
Pyetjes: “A mendoni se mësimdhënësit i kushtojnë kohë të mjaftueshme edukimit të nxënësve për parandalimin dhe përballjen me dhunën”, një përqindje e lartë e nxënësve, pra 82.3%, janë përgjigjur se stafi mësimdhënës i kushton më së shumti kohë edukimit të tillë. Te 43% e nxënësve mbizotëron përgjigjja se dhuna ndalohet më së shpeshi nga mësimdhënësit në shkollë, gjë që e vë pah rëndësinë e rolit të mësuesve në krijimin e një mjedisi të sigurt shkollor.
Bojana Mijoviq-Hristovska nga “Analitika” thotë se sipas hulumtimit, përqindje e lartë 83,6% tregojnë se vajzat janë viktimat më të shpeshta të dhunës në bazë gjinore në shkolla. Dhuna në bazë gjinore dhe barazia gjinore janë ende një nga temat më urgjente në komunitetin tonë, madje edhe në shkolla. Kur flasim për shoqërinë tonë, mund të shtojmë edhe se dhuna në bazë gjinore trajtohet si tabu temë, ka mungesë edukimi, si dhe mungon ndihma e mbështetja për vajzat e reja.
Tamara Mijoviq-Spasova nga “Analitika” beson se për të parandaluar sjelljet e dhunshme të nxënësve është veçanërisht i rëndësishëm bashkëpunimi i vazhdueshëm dhe i shëndoshë ndërmjet prindërve dhe shkollave. Nga përgjigjet që janë marrë vërejmë se 60% e nxënësve e theksojnë bashkëpunimin dhe përfshirjen e ulët ndërmjet prindërve, mësimdhënësve dhe shërbimeve profesionale në shkolla. Prindërit janë më të interesuar për suksesin e fëmijëve të tyre, e shumë pak për klimën në shkollë dhe aktivitetet jashtëshkollore që synojnë të nxisin kreativitetin e nxënësve, të zhvillojnë aftësitë e tyre dhe të krijojnë mjedis të sigurt dhe të shëndetshëm.
“Analitika” vlerëson se sistemi arsimor, përkatësisht shkollat, janë jashtëzakonisht të rëndësishme në procesin e njohjes dhe raportimit të rasteve të dhunës, ku dhuna ndaj fëmijëve mund të zbulohet herët, për ta parandaluar. Është e rëndësishme të vendoset një marrëdhënie e hapur dhe e drejtë mes nxënësve, mësuesve dhe prindërve, sepse kjo ndihmon në uljen e dhunës në shkolla.
Hulumtimi është realizuar në kuadër të projektit “Zhvillimi i kulturës së paqes dhe parandalimi i dhunës si vlera themelore të sistemit arsimor në Republikën e Maqedonisë së Veriut”, i realizuar nga “Analitika” – Shkup, me mbështetje financiare të Ambasadës Kanadasë për Serbinë, Malin e Zi dhe Maqedoninë.