Në fillim kur u paralajmërua për testimin e nxënësve për Kovid-19 nëpër hapësirat e shkollave, disa nga prindërit reaguan duke u ndjerë në dyshime konspirative për këtë testim që do duhej vullnetarisht t’ju bëhej fëmijëve të tyre. Ndërkaq deri më tani ky proces i testimit është vijuar pa ndonjë problem, janë bërë diku 8200 testime të nxënësve në disa nga shkollat fillore dhe të mesme, ndërsa rezultatet e tyre do të shpallen pas përfundimit të këtij procesi të testimit, kështu informojnë nga Ministria e Shëndetësisë në vend.
Tamponët merren në mënyrë të rastësishme nga nxënësit nga regjistri “E-ditar” duke u bazuar me pëlqimin dhe vendimin e prindërve të tyre. Ashtu edhe sikurse e kemi përmendur që më përpara që qëllimi i shqyrtimit dhe bërjes së testimeve është zbulimi dhe informimi mbi bartësve të mundshëm asimptomatikë (pa simptoma) të koronavirusit në shkolla dhe parandalimi i transmetimit të tij. Sipas këtij plani të paraparë nga MSH, testimi do të bëhet fillimisht në shkollat e mesme dhe më pas në shkollat fillore. Skriningu do të zgjasë pesë ditë dhe rreth 1600 fëmijë do të duhet të testohen çdo ditë, në hapësirat e shkollave nga ekipet e lëvizshme të terrenit.
Nga Shkolla e Mesme e Qytetit të Shkupit “Zef Lush Marku”, thonë se testimi i nxënësve në këtë shkollë është kryer me sukses dhe pa ndonjë problem. “Në hapësirat e SHMQSH “Zef Lush Marku” u realizua skriningu për Kovid-19. Gjithsej janë testuar 68 nxënës prej 69 nxënësve të paraparë, ku të gjithë rezultuan negativ. Të gjithë janë të sigurt në shkollë dhe me apel deri te të gjithë që të respektohen masat antikovid, që sa më shpejtë ta kalojmë këtë gjendje pandemie”, theksojnë nga kjo shkollë.
Ndërsa edhe drejtori i këtij gjimnazi Faruk Zeqiri, shprehet se në këtë shkollë mbarëvajtja e skriningut është zhvilluar pa probleme, por edhe gjendja në këtë shkollë është e sigurt si dhe masat antikovid respektohen nga të gjithë. Edhe nga shkolla e mesme “Korçagin” thonë se nxënësit e tyre të cilët janë testuar kanë rezultuar negativ. “ Sot për herë të parë u realizua skriningu në shkollën tonë. Gjithsej 40 fëmijë janë testuar dhe të gjithë kanë rezultuar negativë. Për mendimin tim, skriningu është një ide e zgjuar dhe nëse do të mundet, duhet të bëhet së paku një ose dy herë në muaj – tha për media drejtori i gjimnazit të Shkupit “Korçagin”, Dragan Arsovski.
Po ashtu edhe në shkollën fillore “Mihal Grameno” në fshatin Bllacë janë testuar vetëm tre nxënës nga gjithsej 110. Të tre janë negativ. Ndërsa epidemiologu, Dragan Danilovski , thotë se do të ishte më e duhur që të testoheshin fëmijët që kanë simptoma, sepse testimi i një numri kaq të vogël të nxënësve është “goditje boshe”. “Testet e tilla kanë logjikë nëse kryhen me dinamikë të rregullt. Një test i tillë një herë nuk do të thotë asgjë”, sqaron Danillovski. Ndërsa sipas mikrobiologut Nikolla Panovski, është shumë më efikase që të testohen vetëm nxënësit që kanë simptoma të Kovid-19 dhe të bëhet testimi i antitrupave të tyre. “Më së miri do të ishte të bëhej skrining masiv i nxënësve, por për 200.000 nxënës, aq sa ka gjithsej në vend, besoj se do të kushtonte shtrenjtë “, thotë ai.
Burimi: KOHA.MK