Pothuajse 8.000 nënshkrime numëron peticioni online i ngritur nga studentët, përmes të cilit kërkojnë që bursat e rritura të shpallura nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës të vlejnë për të gjithë studentët, dhe jo vetëm për ata që aplikojnë për herë të parë, përcjellë Portalb.mk.
Nga ky vit, Ministria e Arsimit dhe Shkencës e ka rritur shumën e bursave studentore, gjegjësisht studentët që do të marrin bursa të kategorisë së parë, të dytë, të tretë ose të katërt do të marrin 6.050 denarë në muaj, ndërsa fondet për studentët e regjistruar në programet studimore në kimi , fizikë dhe matematikë do të arrijnë në 18.000 denarë në muaj.
Për studentët nënshkrues të peticionet, problematik është fakti se bursa të rritura studentore do të marrin vetëm aplikantëtë e rinj, ndërsa përfituesit e vjetër të bursave studentore do të vazhdojë t’ju paguhet shuma e vjetër.
“Ministria e Arsimit dhe Shkencës në verë njoftoi se nga ky vit studentët do të marrin bursa me shuma të rritura. Njoftimi ishte mirëpritur me shumë gëzim nga të gjithë studentët, por me shpalljen e konkursit u bë e qartë se bursat e rritura nuk do të vlejnë për të gjithë studentët, përkatësisht bursa të rritura do të mund të marrin vetëm kandidatët që aplikojnë për bursë shtetërore për herë të parë. Studentët që tashmë janë përfitues të bursave do të vazhdojnë të marrin shumat e vjetra (më të ulëta)”, thuhet në peticion.
Aty tutje thuhet se sipas kushteve që vlejnë aktualisht, aplikantët e rinj që do të fitojnë bursë të kategorisë së parë do të marrin nga 6.050 denarë për 9 muaj të vitit, kurse studentët që tashmë shfrytëzojnë bursë në të njëjtën kategori do të marrin dyfish më pak, gjegjësisht rreth 3.300 denarë.
“Nuk pajtohemi me këtë model të bursave të ritura. Me këto rrethana po kryhet diskriminim dhe të njëjtët bëjnë ndarje midis studentëve”, reagojnë studentët nënshkrues të peticionit.
Ata thonë se është e palogjikshme dhe absurde që bursa e së njëjtës kategori për një student të jetë më e lartë, kurse për një tjetër më e ulët, dhe është e justifikushme revolta e atyre studentëve që lihen jashtë risive.
“Të gjithë studentët kanë nevoja dhe harxhime të njëjta ose të ngjashme dhe të gjithë meritojnë trajtim të barabartë”, reagojnë studentët.
Ata tani përmes peticionit kërkojnë që Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës të gjejë zgjidhje të përshtatshme, me të cilën, siç thonë ata, asnjë student nuk do të dëmtohet dhe diskriminohet, përkatësisht duan që bursat e rritura të jenë të vlefshme për të gjithë, dhe jo vetëm për ata kandidatë që aplikojnë për herë të parë.
Përndryshe, revolta e studentëve do të vazhdojë të rritet, thuhet në peticion.
Nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës nuk e komentojnë peticionin online të studentëve, por janë decid se përfituesit e bursave do të vazhdojnë të marrin shumat në përputhje me marrëveshjet që kanë nënshkruar.
“Të gjithë shfrytëzuesve aktual të bursave studentore pagesa vazhdon t’iu realizohet në përputhje me dispozitat e marrëveshjes që kanë nënshkruar me Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës në një nga vitet e kaluara akademike dhe që është e vlefshme. Kjo vlen edhe për përfituesit e rinj të bursave, gjegjësisht ata që do të ushtrojnë të drejtën e tyre për bursë përmes aplikimit në konkursin e ri. Edhe ata nënshkruajnë marrëveshje në të cilën përcaktohet shuma dhe dinamika e pagesës”, thonë nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës për “Meta.mk”.
Nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës përsëritën se studentët e viteve të larta që tashmë janë përfitues të ndonjë burse shtetërore mund ta pezullojnë dhe të aplikojnë për një të re, më të lartë.
“Nëse një student i cili tashmë ka fituar të drejtën për bursë në vitet e kaluara dëshiron të aplikojë për konkursin e ri, paraprakisht është e nevojshme të paraqesin deklaratë në MASh me të cilën heqin dorë nga përdorimi i bursës aktuale”, thonë nga MASh.
Por, nëse studentët heqin dorë nga bursat aktuale, ekziston mundësia që ato të reja të mos miratohen fare, pasi konkursi parashikon numër i caktuar bursash studentore në katër kategoritë.
Nga Kuvend studentor i Universitetit paraprakisht njoftuan do të këmbëngulin në gjetjen e një mekanizmi ligjor nga viti i ardhshëm me të cilin të gjithë studentët do të marrin shuma më të larta.
“Për fat të keq, këtë vit janë paraparë aq fonde për pagesën e kuotës së re të bursave dhe për shkak se nuk do të ketë ribalancim të buxhetit deri në fund të vitit, ajo që na mbetet është të insistojmë në parashikimin e sasisë së nevojshme të fondeve për të mbuluar të gjithë shfrytëzuesit e bursave nga viti i ardhshëm dhe gjetjen e një mekanizmi ligjor për realizim më të thjeshtë”, thuhet në njoftimin e muajit të kaluar të KSU UKM.
Përndryshe, afati për aplikim për bursa studentore përfundon të premten, për ata studentë që aplikojnë për herë të parë. Afati për studentët që do t’i vazhdojnë bursat e tyre, nga ana tjetër, është deri më 30 tetor.