Me një ceremoni solemne, Universiteti i Tetovës sot filloi zyrtarisht vitin e ri akademik 2021/2022. Para Rektoratit të Universitetit të Tetovës, rreth 2000 studentë u mirëpritën nga stafi mësimdhënës dhe administrata e Universitetit. Prorektori për Arsimin, prof. Dr.Reshat Qaili.
“Ndihem gjithmonë i kënaqur t’u drejtohem studentëve sepse ngjarje të tilla janë momente të veçanta që shënojnë pika kthese të rëndësishme në jetën e secilit prej nesh. E tillë është ceremonia e sotme, ku të gjithë së bashku, përveç mirëseardhjes së studentëve të rinj, hapim auditorët e fakulteteve tona për shumë të rinj të cilët pa hezitim vendosën t’ia besojnë formimin e tyre profesional në Universitetin e Tetovës”, tha prorektori Qaili.
Ai vuri në dukje se ky është viti i dytë me radhë që viti akademik zhvillohet gjatë kohës së pandemisë.
“Ne jemi të detyruar të respektojmë masat kundër përhapjes së Covid-19. Në këtë betejë globale, duhet theksuar se universitetet kanë dhënë përsëri një kontribut të vlefshëm në menaxhimin e situatës dhe pasojave që kjo pandemi e rrezikshme ka lënë në të gjithë botën. Ne jemi të vetëdijshëm për detyrat që kemi para qytetarëve tanë të cilët me të drejtë shohinë institucionet universitare shpresën, zhvillimin dhe të ardhmen e brezave”, tha ndër tjerash profesor Qaili.
Studentët e rinj morën informacion se do të marrin diploma të pranuara jashtë vendit dhe se mund të vazhdojnë studimet e tyre të mëtejshme ose të punësohen sipas kualifikimit dhe aftësimit profesional. Me vendim të Senatit, çdo vit Universiteti i Tetovës u jep bursa studentëve të shkëlqyer, të cilët gjatë studimeve arrijnë të përmbushin kriteret e kërkuara. /Alsat/