Akoma nuk ka një vendim përfundimtar nëse në shkollat fillore dhe të mesme do të realizohet skriningu, siç paralajmëroi ditë më parë ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe. Më shumë informacione nuk ka as ministrja e Arsimit, Milla Carovska. Ajo tha se janë në koordinim të vazhdueshëm më Komisionin për sëmundje infektive. Sipas saj, rastet aktive me koronavirus në arsimin fillor dhe të mesëm janë 0.26 %, prandaj edhe nuk mendohet për ndryshim të modelit mësimor, nga mësimi me prezencë fizike në mësimin nga distanca.
Numri i të infektuarve të rinj sillet prej 0.01 deri në 0.03 % në ditë. Gjithsej raste aktive në arsimin fillor dhe të mesëm janë 0.26 % nga numri i përgjithshëm i nxënësve, 240 mijë, të cilët për çdo ditë ndjekin procesin mësimor me prezencë fizike. Ministria e Shëndetësisë doli me qëndrim se për momentin nuk rekomandojnë ndryshim të modelit por përgatisin skrining – deklaroi Milla Carovska, ministre e Arsimit dhe Shkencës.
Ditë më parë, ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe tha se fakti që shumica e të rinjve në arsimin fillor dhe të mesëm e kalojnë virusin në mënyrë asimptomatike, krijon nevojën që të bëhet skrining që të shihet numri real i nxënësve të infektuar në shkolla dhe të vlerësohet saktë rreziku. Sipas Filipçes, testimi i këtillë do të japë informata dhe njohuri të sakta për menaxhim të mëtutjeshëm të pandemisë dhe arsimit., /Alsat