Rreth një muaj nga fillimi i vitit të ri shkollor, mësimdhënësit dhe nxënësit japin vlerësime për zbatimin e konceptit të ri mësimor. Sherafedin Abdurrahmani, mësues i klasës së katërt në shkollës fillore “Liman Kaba” në fshatin Luboton theksoi se koncepti i ri mësimor, respektivisht digjitalizimi i mësimit, nuk përshtatet me kushtet me të cilat përballen shkollat për momentin. Madje, sipas tij, nxënësit po mbeten mbrapa me shkrimin me dorë.
Mirë është kjo, nuk është e dëmshme por ne më duket se ende nuk jemi të përgatitur për këtë lloj të mësimit. Shoh që fëmijët ngelin mbrapa me shkrimin me dorë, kjo është një minus i madh ndërsa pjesa tjetër është pozitive. Vështirësia është më e madhe se fëmijët nuk janë të pajisura me mjete adekuate në shtëpi, duhet të kenë kompjuter, laptop ose ta tablet. Ka prindër që I ka dy iose tre fëmijë, nuk mund ti furnizojë të gjithë me këto mjete”, tha Sherafedin Abdurrahmani, mësues, sh.f “Liman Kaba” fsh.Luboten.
Nxënësit thonë se mësimi digjital është tërheqës vetëm në shkollë ndërsa në shtëpi shkakton shumë vështirësi për shkak të mungesës së librave të zakonshëm.
“Kur shkojmë në shtëpi s’kemi prej ku ti bëjmë detyra. E kemi pak vështirë ti mbajmë mend detyrat e shtëpisë. Tabela është shumë e mirë por duhet ti them arsimtarit ta zmadhojë se nuk po e shohim prej në fund të klasës”.
“Në shtëpi si po i bën detyrat? Nuk po mundem me i mbërri të gjitha detyrat se nuk I kemi librat. Më mirë është me pas libra. Ndoshta do të ishte më e lehtë për ne për detyrat e shtëpisë”
Nxënësit ankohen gjithashtu për probleme të shumta teknike kur duhet mësuar nga librat digjital. Ata kërkojnë që paralelisht me librat digjital të kenë edhe librat e shtypur.
“A ke në shtëpi tablet ose kompjuter? Kam laptop, e kam provu me hap, të gjitha I hapte vetëm ato të klasës së katërt jo. Pak vështirë edhe rëndë, me libra mund ti shohim detyra prej libër dhe ti punojmë. Më vështirë e kam në lëndën e matematikës”.
“Në gjuhë shqipe është më lehtë dhe më mirë. Kur I bëjmë detyrat këtu në klasë është më mirë sepse kemi për të shikuar se për çfarë po flet. Është më mirë ta kesh librin në dorë ose të ulesh para komputerit edhe ta hapësh librin? Është më mirë ta kesh librin në dorë”.
Për shkak të mungesës së pajisjeve digjitale për zbatimin e konceptit të ri mësimor, shumë nxënës u detyruan të bëjnë fotokopjimin e librave digjital. Këto të fundit nuk janë të lejuara sipas dikasterit të Arsimit dhe Shkencës.
Burimi: TV ALSAT