Pas gati tre javëve vonesë, do të fillojë viti shkollor në shkollën fillore të muzikës komunale në Strugë. Kreu i Komunës dhe ministri i shoqërisë informatike do të shfaqen në fillim të vitit shkollor. Prindërit morën njoftim përmes aplikacionit “Viber” se orët e planifikuara paraprakisht për 20 dhe 21 shtator, janë shtyrë. Në vend të kësaj, ato do të mbahen nesër, jo në mëngjes, por në orën 18 pasdite. Sot në Alsat, prindërit reaguan ndaj ngjarjeve të tilla. Thonë se atyre u duket se kjo është një përzierje e politikës në arsim. Prindërit nuk donin të flisnin para kamerës që fëmijët e tyre të mos vuanin pasojat gjatë mësimit.
“Morëm mesazh të hënën se këtë ditë fillon ora solemne e hapjes së shkollës së muzikës. Më pas, bashkëshortja mori mesazh se anulohet për të mërkurën sepse kryetari e ka në agjendë ta hapë shkollën. Ky është një keqpërdorim klasik i fëmijëve. Ne familjarisht kemi vendosur me bashkëshorten dhe vajzën që mos të marrim pjesë në orën e parë sepse ndjehemi të manipuluar”.
Alsat pyeti në shkollë pse tre javë ka vonesë në nisjen e mësimit. Drejtori u shpreh se me vonesë kanë mbaruar procedurat për regjistrimin e shkollës në Regjistrin qendror.
Nga Ministria e Arsimit shkurt u përgjigjën se aktivitetet e zyrtarëve para dhe gjatë kohës së periudhës zgjedhore rregullohen me Kodin Zgjedhor. Nuk kishin koment për faktin që mësimi në këtë shkollë do të fillojë me vonesë prej tre javëve.
TV ALSAT