Gjendja momentale me virusin Covid 19 nuk ka ndezur alarmin për ta ndryshuar modelin e realizimit të procesit mësimor, respektivisht nga mësimi me prani fizike të kalohet në mësimin online. Ministrja e Arsimit Milla Carovska theksoi se numri i nxënësve të infektuar është shumë i ulët ndërsa për ndryshimin e modelit mësimor do të vendosë Komisioni për sëmundje infektive.
“Epidemiologët dhe Komisioni për sëmundje infektive po e përcjellin gjendjen, I marrin informacionet sikurse edhe Ministria e Arsimit dhe veprojnë në komuna, rajone ose shkolla. Deri tani nuk kemi indikacione se modeli duhet të ndryshohet, në momentin kur do të marrim indikacione për ndryshim të modelit në jemi të gatshëm të veprojmë. Në shkolla janë 240 mijë nxënës, ndërsa dje numri i rasteve pozitive të nxënësve në shkollë është 0.01 % që vërtet është numër shumë i vogël”- deklaroi Milla Carovska, ministre e Arsimit dhe Shkencës.
Përveç nxënësve, Carovska tha se numër të vogël të infektuarve ka edhe te kuadri mësimor ndërkohë që vaksinimi I tyre ka arritur mbi 70 %. Gjithashtu, Carovska apeloi drejtorët e shkollave, mësimdhënësit dhe prindërit të respektojnë protokollet shëndetësore me qëllim mbrojtjen e fëmijëve nga infektimi. Për momentin, procesi mësimor në të gjithë vendin po realizohet me prezencë fizike përveç në shkollat e mesme në Tetovës dhe Gostivar për të cilat Qeveria vendosi që mësimi online të shtyhet edhe për një javë. /Alsat