Nxënësit e shkollave të mesme në Tetovë dhe Gostivar, nuk do fillojnë mësimin me prezencë fizike më një shtator, por “online”. Vendimi vlen për dy javët e para të shtatorit. Kështu ka vendosur sot Komisioni për sëmundje ngjitëse, pas kërkesës së shtabeve të krizës në këto komuna.
“… siç do të zhvillohet situata me të infektuarit dhe gjendja në spitale, do merret vendimi i radhës. Një nga shkaqet kryesore për marrjen e një vendimi të këtillë është situata në spitale sepse megjithatë janë të mbingarkuara, dhe me pacientë nga Tetova dhe Gostivari që dërgohen edhe në Shkup, ndërsa numri i nxënësve këtu në Tetovë dhe Gostivar është i madh dhe mund të jetë faktor rreziku shtesë”, tha Venko Filipçe, Ministër i Shëndetësisë.
Shtabi i krizës në Tetovë kërkoi edhe kushtëzimin e vaksinimit të mësimdhënësve në të kundërtën të testohen çdo të dytën ditë. Por sipas Filipçes, për këtë kërkesë do të bisedohet në mbledhjen e radhës.
“Tanimë janë vaksinuar rreth 70 për qind e punonjësve të arsimit, dhe pres nga të gjithë që të ndihmojnë që të ketë një proces si duhet mësimor. Pra për të gjitha rekomandimet do diskutohet edhe në shtab edhe në Qeveri”, pohoi Venko Filipçe, ministër i Shëndetësisë.
Kryetarja e Shtabit të krizës në Tetovë bëri thirrje për vaksinim sa më masiv edhe të nxënësve të shkollave të mesme.
“Punohet intensivisht edhe për pikën e tretë në shtëpinë e kulturës që do përdoret për rivaksinim. Thirrja jonë është vaksinim maksimal, por bëjmë thirrje edhe tek nxënësit e shkollave të mesme për vaksinim masiv, normal në konsultim me prindërit që të shfrytëzohet mundësia për tu vaksinuar”, tha Teuta Arifi. Kryetare e shtabit të krizës Tetovë.
Autoritetet shëndetësore nga ana tjetër thonë se gjendja me Covid-19 në Tetovë mbetet shqetësuese.
“Fatkeqësisht edhe kemi numër të madh të të hospitalizuarve, kemi 124 pacientë të hospitalizuar, ndërsa për 24 orë kemi pasur 14 pranime të reja, pra ende ka pacient që kërkojnë hospitalizim. Ndërsa sa i përket numrit të të vdekurve kemi gjashtë që kanë nderuar jetë që është numër ende i madh”, pohoi Gëzim Nuredini, përgjegjës i kovid Qendrës në spitalin e Tetovës.
Sipas Nuredini në Spitalin nuk ka asnjë shtrat të lirë për pacientët e prekur nga Covid-19. Rastet e reja sipas tij do të dërgohet në Klinikën e Shkupit. /Alsat/