Njeriu është i prirë që të besojë në gjëra të bukura dhe pozitive, edhe kur kjo duket shumë e vështirë dhe e pamundur, edhe në errësirën më të madhe, në tunelin më të gjatë, rrugën e panjohur e valët e trazuara. Njeriu përsëri beson se stuhitë do të qetësohen dhe çdo gjë do të vijë në vendin e vet. Dhe ai i përballon të gjitha këto i vetëm, me forcën që i buron nga besimi dhe durimi.
E edhe në këtë epokë të një bote të katandisur, njeriu beson me kokëfortësi se bota mund të jetë më e bukur se kaq. Të besojë se mund të mbijetojë duke qenë i ndryshëm, pa iu përshtat rregullave, pa pranuar si të mirëqenë atë që se ndjenë, pa qenë nevoja të jetë servilë për ta marrë atë që meriton.
Por, ti mos u mundo që t’ua sqarosh këtë të tjerëve. Mos u mundo që të jesh i sinqertë dhe të kërkosh si kthim sinqeritetin, në një botë kur kjo merret si dobësi. Dhe mos i shfaq pikat e tua të dobëta, nëse nuk dëshiron t’i hapësh gropën vetes.
Mos u mundo që tua sqarosh dhimbjen tënde të tjerëve, as brengat dhe ankthet, do të pretendojnë se të kuptojnë dhe ti e di se nuk të kuptojnë dhe do të thyhesh edhe më shumë kur të ofrojnë atë që më së paku ke nevojë, mëshirën.
Mos u mundo të flasësh për ëndrrat e tua. Ata do të bëjnë si të fascinuar, përkrahës dhe inkurajues, por nuk duan t’ia dinë për jetën tënde. Do të harrojnë për ekzistencën tënde sapo të ndahen nga ti dhe ti do ta kuptosh këtë nga sytë e tyre.
Mos u mundo të debatosh me to, të argumentosh se pse ke të drejtë, pasi nuk do t’ia dalësh asnjëherë. Ata kanë mësuar teknikat për të sulmuar dhe për t’u mbrojtur dhe ti do të jesh çdoherë humbës para tyre, jo pse nuk i kupton metodat e tyre, por se në këtë fushë ata janë më të avancuar.
Më mirë fol me ta për çështje që dëshirojnë t’i dëgjojnë, për gjëra sipërfaqësore, për thashethemet e ditës, për gjendjen e motit, rritjen e çmimeve… ose hesht. Ndoshta është më mirë të heshtësh, se sa të inkuadrohesh në një bisedë ku nuk ka veshë për mendimin tënd. Fundja nuk është patjetër të flasësh, gjithkund dhe me çdokënd. Ngrit mure përreth, vështro nga larg dhe mos lejo ata të vështrojnë brenda teje, të kuptojnë brishtësinë dhe ndjenjat e tua.
Mos u mundo me këmbëngulje të reflektosh energjinë te të tjerët për një botë më të mirë, pasi të gjitha përpjekjet e tua do të jenë të kota. Ti nuk mund të bëhesh pjesë e botës së tyre pa pranuar rregullat dhe perceptimin që ata kanë krijuar për jetën dhe botën, e në fund të ditës ti do të jesh për to asgjë tjetër, përpos një torollak i pavlerë që jeton në iluzione.
Por ti nuk je një iluzion. Je e kundërta e iluzionit. Ti je një admirues i së vërtetës, sinqeritetit, brishtësisë, solidaritetit dhe njerëzores dhe i kërkon me këmbëngulje ato. Dhe kjo është një rrugë që nuk duhet braktisur, edhe nëse ecë vetëm në të.
Autor: Teuta Buçi