Qeveria e Maqedonisë së Veriut ditë më parë miratoi vendimin që mësimi nga shtatori të nisë me prezencë fizike. Mësimi me prezencë fizike, sipas Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, do të realizohet deri në momentin që nuk përkeqësohet gjendja me Covid 19. Udhëheqësi i Sektorit për veprimtari publike pranë Komunës së Tetovës, Ahmed Qazimi, thotë se të gjitha shkollat në Tetovë janë të përgatitura dhe i plotësojnë kushtet për zbatueshmëri të protokolleve shëndetësore për mbrojtje nga virusi Covid-19 që procesi edukativo-arsimor nga 1 shtatori të zhvillohet me prezencë fizike.
Nga ana tjetër, duke marrë parasysh se numri i të infektuarve me Covid-19 javëve të fundit në Tetovë ka shënuar një trend të rritjes, duke përkeqësuar dukshëm gjendjen epidemiologjike, Qazimi vlerëson se Komisioni i Sëmundjeve Infektive nevojitet që të bëjë një analizë lidhur me këtë situatë të krijuar dhe Qeveria bashkë me Ministrinë e Arsimit të shqyrtojnë vendimin e mësimit me prezencë fizike për të shmangur ndonjë situatë tjetër të rëndë. “Gjatë tërë kohës së kaluar është punuar intensivisht që shkollat të jenë të përgatitura për çfarë lloj forme të fillimit të mësimit. Tashmë kemi edhe përvojë të organizimit të mësimit në forma hibride edhe atë me prezencë fizike dhe në distancë, dhe shkollat janë të njohura me praktikimin e protokolleve për fillimin e vitit shkollor. Janë bërë edhe trajnimet e nevojshme, po ashtu edhe furnizimet e ndryshme janë bërë në kohë, prandaj edhe jemi të gatshëm që t’i respektojmë vendimet që janë marrë nga ana e Qeverisë. Dua të potencoj që institucionet përgjegjëse për vendimin final duhet që të kenë parasysh edhe një fakt tjetër pasi që Tetova me rrethinë ditëve të fundit është përfshirë nga një valë e re infektimesh kurse më 1 shtator në lëvizje do të vendosen bashkërisht nxënës dhe staf mësimor rreth 20 mijë. Jemi të gatshëm që të sigurojmë proces mësimor sa më të sigurt për nxënësit”, deklaroi Qazimi.
Përqindja e vaksinimit të mësimdhënësve të shkollave fillore dhe të mesme në Tetovë është më e lartë se ajo në nivel shtetëror, ku rreth 80 për qind e mësimdhënësve që japin mësim në shkollat e Tetovës janë të vaksinuar. “Gjatë kohës së pushimeve, kemi organizuar disa cikle të vaksinimit për stafin mësimor nëpër shkollat e Tetovës, duke u rekomanduar që të vaksinohen sa më shumë, me qëllim që të jenë sa më të sigurt gjatë procesit të realizimit të procesit edukativo-arsimor. Kemi një përqindje të vaksinimit mbi atë përqindje që është në nivel të shtetit. Vetëm një numër simbolik i mësimdhënësve nuk janë vaksinuar, disa prej tyre për shkaqe shëndetësore dhe për shkak të bindjeve se vaksina është e dëmshme nuk kanë marrë të njëjtën. Mund të them se në Tetovë afër 80 për qind e stafit mjekësor është vaksinuar” potencoi Ahmeti.
Nga ana tjetër, ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Milla Carovska, gjatë qëndrimit në Tetovë ka theksuar se vaksinimi në shtet ende nuk është obligativ, prandaj apeloi që të gjithë të vaksinohen.“Për momentin vaksinimi është në mënyrë vullnetare, kurse apeli im është që të gjithë ata që dëshirojnë të mbrojnë veten e tyre, familjen e tyre dhe të ndihmojnë në kthimin në normalitetet të funksionimit të shoqërisë është e rëndësishme që të vaksinohen”, tha Carovska. (koha.mk)
Burimi: Gazeta KOHA