Libri i parë digjital i cili do t’i bashkëngjitet konceptit të ri për arsimin fillor në Maqedoninë e Veriut, do të jetë libri i lëndës Shkencat Natyrore për klasën e katërt, transmeton Portalb.mk.
Ministria e Arsimit dhe Shkencës sqaroi që ky libër është pagatitur nga autorja Bilaja Stojanovska në bashkëpunim me mësimdhënësen Biljana Lazareska dhe Nela Slezenkova-Nikolova.
“Libri i parë digjital do të nxisë kuriozitetin dhe dëshirën për shkencat natyrore te klasat e katërta”, vlerësojnë nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës në lidhje me një nga ndryshimet e paralajmëruara në Konceptin e ri për arsimin fillor. Ata shtojnë se gjatë përgatitjes janë përqendruar në zhvillimin e të menduarit kritik dhe krijimtarisë, duke përfshirë përmbajtje argëtuese, eksperimente dhe hulumtime e ilustrime interesante.
“Kemi arritur të krijojmë libra cilësor të pasuruar me përmbajte digjitale në formë të fotografive, videove, lojërave dhe animacioneve interaktive”, deklaroi Stojanovska.
Ndryshe, në kuadër të kësaj nisme, Ministria dje ka filluar shpërndarjen e 10 mijë tabletave për nxënësit e klasave të katërta dhe janë raste sociale, duke sqaruar që 3 mijë tashmë janë shpërndarë nëpër shkolla.
“Me Konceptin e ri parashikohet modernizim i procesit arsimor, gjegjësisht nxënësit e klasës parë dhe të katërt do të mësojnë sipas kurrikulave krejtësisht të reja dhe me materiale të reja mësimore, përgatitja e të cilave është në fazën përfundimtare. Risi në mësimin në klasën e katërt, është se përparësi do t’u jepet librave shkollore digjitale, të cilat do të jenë vetëm një vegël më shumë për nxënie të suksesshme të materialit. Për atë qëllim, MASH siguroi tableta që dedikohen për nxënësit, të cilët vijnë prej familjeve të rrezikuara në aspektin social”, thuhet në komunikatën e MASH-it.