Shkruan: Teuta Buçi
Shkupi deri më pak se një viti nuk ka pasur një librari të vetme. Universitetet tona nuk kanë biblioteka, mos të flasim për shkollat e mesme e fillore. Studentët nuk e dinë si duken laboratoritë, pasi ato nuk ekzistojnë te ne. Studentët e UNT-së mësojnë në zyrat e një ndërtese nga koha e ish Jugosllavisë, pasi ndërtimi i objektit që duhej të përfundonte deri më tani, (me shumë gjasë) është ende pjesë e pazareve politike dhe nuk dihet fati i tij. Diplomat deri diplomike blihen, ato të magjistraturës e doktoraturës po ashtu. Një person që përfundon një nivel arsimimi të caktuar, nuk mund të punësohet në vendin e merituar pa librezë partiake apo pa ofruar mito. Ndryshe është fati i atij që blen diplomën, të cilit në pako i vjen edhe suksesi në karrierë. Pse po habiteni që qytetarët nuk po “besojkan në shkencë”!? Pse po talleni e ironizoni me këta qytetarë, kur në fakt duhet të tallet e ironizohet sistemi. Ky shtet nuk ka investuar dhe nuk investon që të edukojë qytetarët të besojnë në shkencë, në arsim dhe në vlera. Përkundrazi, ka qenë armik i shkencës, duke e lënë atë në errësirë totale për vite. Qeveritarët, në vend që të kritikojnë qytetarët, le të mirren me fushata që do të motivojë ata për t’u vaksinuar, le të mirren me gjëra më pragmatike, le të jenë më serioz dhe më profesionist në kryerjen e detyrës së tyre. Pasojat e pandemisë po i ndjejmë të gjithë, dikush në aspektin e shëndetit fizik, dikush në atë mental, e të tjerë në atë ekonomik. Prandaj kjo gjendje duhet të përfundojë sa më shpejtë, e për këtë duhet të kontribuojmë çdonjëri prej nesh, duke u vaksinuar. Pasi ne momentalisht kemi dy zgjidhje, të vazhdojmë të jemi peng i pandemisë e të jetojmë me liri të kufizuar deri në një periudhë të pacaktuar, ose të vaksinohemi. Ndërkohë, pushteti në vend që të harxhojë energji për t’ia adresuar dështimin qytetarëve, të mendojë strategji për vaksinim që do të jetë më efikase e do të nxjerrë rezultate më të mira.