Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASH) i është përgjigjur kërkesës së Plenumit të Mësuesve për rritjen e pagave në arsim, ku thonë se në katër vitet e fundit mësuesve iu është rritur paga për 2.000 denarë.
“Pagat e mësimdhënësve në katër vitet e fundit janë rritur me mbi 2.000 denarë, ndërsa qeveria e mëparshme në një periudhë prej 7 vitesh i ka rritur ato me vetëm 850 denarë. Rritja është rezultat i angazhimit të Qeverisë dhe Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës për një vlerësim dinjitoz të punës së mësuesve. Për të siguruar siguri të përhershme ekonomike dhe ligjore të mësuesve, Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka përgatitur ndryshime ligjore që sigurojnë rritje të vazhdueshme të pagave të mësuesve, në përputhje me rritjen e pagës minimale në vend. Opozita e ka bllokuar këtë zgjidhje ligjore në Parlament për më shumë se tre muaj”, thonë nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës.
Deputetët e opozitës i detyrohen një shpjegimi mësuesve pse pengojnë miratimin e ndryshimeve në Ligjin për mësuesit dhe bashkëpunëtorët profesionistë dhe janë kundër promovimit të statusit të tyre dhe kështu kundër interesit më të mirë të nxënësve. Sepse vetëm mësuesit që vlerësojnë punën e tyre janë të angazhuar për mësimdhënie dhe arsim cilësor për nxënësit e tyre.
E njëjta zgjidhje ligjore parashikon transformimin e 4.700 vendeve të punës me afat të caktuar, si dhe punësimin e drejtpërdrejtë të mësuesve dhe bashkëpunëtorëve profesionistë për një periudhë të pacaktuar, pa pritur për më shumë se dy vjet me kontrata me afat të caktuar”, shtojnë nga atje.